Nga Likova në skenën evropiane! Karateisti shqiptar Nedim Shaqiri ka arritur një sukses të madh në Kampionatin Evropian për seniorë, që u mbajt në Frankfurt të Gjermanisë, duke e mbyllur garën në vendin e pestë.
Në luftën për medaljen e bronztë, Nedim Shaqiri u mposht nga gjeorgjiani Tsotne Sordia me rezultat 1:9, duke mbetur kështu shumë pranë podiumit evropian.
Megjithatë, ky mbetet rezultati më i mirë i karateistëve nga Maqedonia e Veriut në këtë Kampionat Evropian, si dhe suksesi më i madh në karrierën e Shaqirit deri më tani.
Në kategorinë deri në 60 kilogramë, rrugëtimi i tij nisi me fitore dramatike 7:6 ndaj Seldin Vejo nga Bosnja dhe Hercegovina.
Më pas, ai u përball me grekun Christos Stefanos Xenons, në një duel të fortë që përfundoi 1:1.
Në repasazh, Shaqiri tregoi karakter dhe cilësi, duke triumfuar me rezultat 4:1 ndaj spanjollit Tolosa Unai Chica, çka i siguroi luftën për medaljen e bronztë.
Edhe pse medalja mungoi, paraqitja e Nedim Shaqiri në Frankfurt konsiderohet sukses i madh dhe një sinjal i qartë për potencialin e tij në arenën ndërkombëtare të karatesë.