​Sa kushtoi fusha e parë e padelit në Kosovë?

Sporti

​Sa kushtoi fusha e parë e padelit në Kosovë?

Më: 14 tetor 2026 Në ora: 10:38
​Sa kushtoi fusha e parë e padelit në Kosovë?

Jusuf Kika, sekretar i Federatës së Padelit të Kosovës, ka zbuluar se investimi për hapjen e qendrës së parë të padelit në vend ka kushtuar nga 150 mijë deri në 200 mijë euro.

I ftuar në SportCast, Kika ka treguar se investimi i bërë në atë periudhë ishte i konsiderueshëm, pasi fushat ishin të standardeve të larta dhe hapësira duhej të përshtatej sipas kritereve të veçanta të këtij sporti.

Kika: Fusha e parë e padelit ka kushtuar rreth 200 mijë euro

“Po ka qenë e kushtueshme, mund të them një investim më shumë se 150 mijë deri në 200 mijë euro për atë periudhë pasi që fushat kanë qenë të standardeve më të larta edhe është dashur të kemi një rregullim të hapësirës pasi që fusha e padelit në ambiente të jashtme nuk ka problem, mirëpo në ambiente të mbyllura krijon një farë ambienti që duhet pasur hapësirë mes fushave për të pasur lartësinë e tavanit, i ka disa kritere më të veçanta edhe fatmirësisht siç e ceka më herët Besimi e ka pasur mbështetjen e bashkëpartnerëve të cilët i kanë ndihmuar në investime pasi që të bëhen të gjitha me mjete vetanake është shumë e madhe, mirëpo është dashur dikush ta bëjë këtë hapin e parë. Edhe ajo qendër domethënë është hapur në vitin 2022 edhe menjëherë kemi filluar me realizimin e aktiviteteve të shumta për ta zhvilluar sportin”, zbuloi Kika.

Ai ka theksuar se, pavarësisht kostos së lartë dhe vështirësive në fazën fillestare, zhvillimi i padelit në Kosovë nuk ishte një befasi për njerëzit që punuan për themelimin e tij, pasi synimi ishte që ky sport të ndiqte standardet e vendeve ku tashmë ishte zhvilluar.

Kika: Fillimi nuk ishte i lehtë

“Mirëpo investimi siç e ceke ti edhe kriteret kanë qenë duke i ndjekur standardet që i kemi parë në vendet e tjera në mënyrë që të fillojmë si sport, ne e kemi ditur edhe prej ditës së parë që këtë hovin që e ka padeli sot nuk është një surprizë për ne, nuk është një befasi sepse e kemi ditur cakun që ka me arritë mirëpo gjithmonë fillimi është i vështirë, gjithmonë hapat e parë, ato investimet duke marrë parasysh që nuk ke ndoshta ndonjë sponsor ose ndonjë mbështetje institucionale pasi që je në hapat e parë të themelimit të federatës ka qenë kuptohet shumë e vështirë, mirëpo gradualisht kemi arritur deri këtu ku jemi sot”, theksoi Kika.

Qendra e parë e padelit në Kosovë u hap në vitin 2022, pas një investimi të konsiderueshëm që synonte krijimin e kushteve për zhvillimin e këtij sporti. Sipas Kikës, pas hapjes së saj nisën aktivitetet e para për promovimin dhe zgjerimin e padelit, i cili gradualisht ka fituar më shumë interesim në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat