Sportistja zvicerane Flurina Rigling ka regjistruar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në Kampionatin Botëror të paraciklizmit në pistë, që po zhvillohet në Apeldoorn të Holandës.
30-vjeçarja nga Cyrihu fitoi të premten, më 30 tetor, medaljen e dytë të artë brenda dy ditësh, duke triumfuar në disiplinën scratch të kategorisë C2.
Rigling la pas britaniken Amelia Cass dhe amerikanen Allison Jones, duke konfirmuar epërsinë e saj në këtë disiplinë.
Dy ditë, dy tituj dhe një rekord botëror
Një ditë më parë, sportistja zvicerane kishte fituar medaljen e artë në kronometrin prej një kilometri.
Në atë garë, ajo vendosi edhe rekord të ri botëror gjatë kualifikimeve, me kohën 1 minutë, 16 sekonda e 750 të mijtat.
Në finalen e kronometrit triumfoi me kohën 1:17.220, duke lënë rivalet më shumë se tri sekonda prapa.
Tashmë, me dy medalje të arta, Rigling është ndër emrat më të suksesshëm të këtij kampionati.
Edhe një medalje për Zvicrën
Suksesi i Zvicrës në Apeldoorn nuk u kufizua vetëm te Riglingu.
Quirin Lutz, 21-vjeçari nga kantoni Aargau, fitoi medaljen e bronztë në sprintin e kategorisë C2.
Lutz përfundoi pas holandezit Hidde Buur dhe australianit Gordon Allan, duke siguruar podiumin e parë në një Kampionat Botëror në pistë.
Ky rezultat ka rëndësi të veçantë për sportistin e ri, i cili po merr pjesë për herë të parë në këtë nivel të garave botërore.
Rigling synon të tjera medalje
Kampionati Botëror në Apeldoorn vazhdon deri më 1 nëntor.
Rigling pritet të marrë pjesë edhe në dy disiplina të tjera, ku hyn në garë si kampione në fuqi.
Për Zvicrën, paraqitjet e saj dhe medalja e Lutzit përbëjnë një tjetër sukses në paraciklizmin ndërkombëtar.
Dy tituj botërorë në dy ditë dhe një rekord i ri janë dëshmi e nivelit të lartë të sportistes nga Cyrihu.