Kombëtarja e Zvicrës në hokej humbet edhe testin e fundit para Botërorit

Sporti

Kombëtarja e Zvicrës në hokej humbet edhe testin e fundit para Botërorit

Më: 31 tetor 2026 Në ora: 16:19
Hokeistet e Zvicrës nuk ia dalin në përballjen me Republikën Çeke

Kombëtarja e femrave të Zvicrës në hokej është mposhtur edhe në ndeshjen e fundit përgatitore para Kampionatit Botëror, duke humbur 7:2 nga Republika Çeke, në kuadër të Women's Euro Hockey Tour.

Për Zvicrën, në ndeshjen e zhvilluar në Södertalje të Suedisë, shënuan Alina Muller dhe Rahel Enzler.

Kjo ishte ndeshja e fundit testuese për zviceranet para fillimit të Kampionatit Botëror, i cili do të zhvillohet në Danimarkë nga 6 deri më 16 nëntor.

Megjithëse rezultati ishte i thellë, pati edhe momente pozitive për përfaqësuesen zvicerane. Njëri prej tyre ishte aksioni i bukur që nisi Laura Zimmermann, vazhdoi përmes Sinja Leemann dhe përfundoi me golin e Alina Mullerit për rezultatin 1:1.

Edhe asistimi i Norina Mullerit për golin e dytë të Zvicrës, të realizuar nga Rahel Enzler, ishte një tjetër moment pozitiv. Po ashtu, loja në inferioritet numerik funksionoi mirë dhe zviceranet pësuan vetëm një gol në këto rrethana, kur ndeshja tashmë ishte vendosur.

Megjithatë, në tërësi, skuadra e drejtuar nga trajnerja Shannon Miller shfaqi shumë dobësi në fazën mbrojtëse dhe nuk arriti t'u bëjë ballë siç duhet çekeve. Në veçanti, zviceranet nuk arritën t'i largonin kundërshtaret nga zona para portës së tyre.

Goli i Natalie Mlynkovës në minutën e 22-të, kur ajo doli e vetme përballë Chiara Pfosit dhe shënoi për 4:1, praktikisht e vendosi fatin e ndeshjes.

Portierja e EV Zug, Pfosi, kishte hyrë në lojë pas periudhës së parë, duke zëvendësuar titullaren Andrea Brändli, por u mposht që në goditjen e parë drejt portës.

Zvicra, e cila kishte ndryshuar formacionin në disa pozicione, përfshirë edhe një linjë sulmuese me Jade Surdez, Jael Manetsch dhe Elisa Dalessi, nuk arriti më pas ta përmirësonte rezultatin.

Në Botëror pa asnjë fitore

Alina Müller, e cila aktivizohet në Amerikën e Veriut, kishte theksuar edhe para turneut se testimi i kombinimeve dhe përmirësimi i mekanizmave të lojës ishin më të rëndësishëm sesa rezultatet.

Megjithatë, fitueset e medaljes së bronztë olimpike do të udhëtojnë drejt Kampionatit Botëror pa asnjë fitore, pas humbjeve ndaj Finlandës, Suedisë dhe Republikës Çeke.

Republika Çeke pritet të jetë kundërshtarja më e vështirë e Zvicrës në Grupin A, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për kombëtaren zvicerane, sfida do të jetë të sigurojë rezultate pozitive në grupin me pesë skuadra dhe të luftojë për një vend në fazën e mëtejshme të garës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat