Dy ndeshje vendimtare për kombëtaren e Zvicrës

Sporti

Dy ndeshje vendimtare për kombëtaren e Zvicrës

Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 12:58
Kundër Çekisë, një siguri e vërtetë në portë – Saskia Maurer

Në përmbyllje të fazës së grupeve në Kampionatin Botëror, Zvicrën e presin dy kundërshtare ndaj të cilave synon fitoret.

Një humbje ndaj SHBA-së dhe një fitore e ngushtë kundër Çekisë, Kombëtarja e Zvicrës në hokej për femra është në rrugën e duhur pas dy ndeshjeve të para të Botërorit.

Të martën dhe të mërkurën, zviceranet do t'i zhvillojnë dy ndeshjet e fundit të grupit, kundër Austrisë dhe Gjermanisë.

Në të dyja përballjet, Zvicra konsiderohet favorite. Veçanërisht ndaj Austrisë, skuadrës së sapongjitur në elitë, e cila ende nuk ka fituar asnjë pikë, fitorja është detyrim.

Megjithatë, trajnerja Shannon Miller paralajmëron se kundërshtarja nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht se është ende relativisht e panjohur.

“Çdo ekip që merr pjesë në Kampionatin Botëror është i mirë. Fiton ai që lufton më shumë”, deklaroi Miller.

Edhe Gjermania, të paktën në letër, vlerësohet si skuadër më e dobët se Zvicra. Megjithatë, Sinia Leemann kërkon kujdes: “Nuk do të jetë e lehtë. Gjithmonë kemi pasur vështirësi kundër Gjermanisë. Ato duan patjetër të fitojnë ndaj nesh, por edhe ne duam të fitojmë kundër tyre”.

Zvicra nuk ka pësuar humbje ndaj Gjermanisë që nga viti 2021. Megjithatë, përballja e fundit mes këtyre dy kombëtareve në Botërorin e vitit 2024 ishte shumë e ngushtë. Zvicra arriti të fitonte vetëm në vazhdime, në ndeshjen për vendin e pestë.

Nëse Zvicra i realizon fitoret e pritshme, me shumë gjasë do ta përfundojë Grupin 1 në vendin e dytë, pas SHBA-së. Në këtë mënyrë, në çerekfinale do ta shmangte Kanadanë.

Për një vend në gjysmëfinale, kundërshtare e mundshme e zviceraneve do të ishte Suedia ose Finlanda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat