Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull (IIHF) është bërë cak i një sulmi nga hakerët, si pasojë e të cilit faqja e saj zyrtare në internet ka dalë jashtë funksionit.
Sipas raportimeve të disa mediave, IIHF-ja e çaktivizoi faqen e saj të internetit pasi aty u shfaq një fotografi e hokeistëve rusë e shoqëruar me një slogan propagandistik.
Sulmi ndodhi në një periudhë kur po zhvillohet një debat i ashpër rreth mundësisë së rikthimit të përfaqësueseve ruse në garat ndërkombëtare të hokejit.
Federata Ndërkombëtare e Hokejit konfirmoi të martën në mbrëmje se ishte cak i një sulmi kibernetik, i cili bëri që faqja e saj zyrtare të mos ishte e qasshme për përdoruesit.
Sipas raportimeve mediatike, faqja u çaktivizua pasi në të u shfaq një fotografi e lojtarëve të përfaqësueses ruse, së bashku me një slogan propagandistik.
Fillimisht, drejtuesit e IIHF-së nuk konfirmuan nëse pas sulmit qëndronin hakerë rusë.
“Ne i dënojmë ashpër këto veprime dhe po ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar burimin e sulmit dhe për të rikthyer funksionimin e sistemeve tona. Platformat tona do të jenë sërish të qasshme kur të jemi të sigurt se janë të mbrojtura në mënyrën e duhur“, thuhet në reagimin e publikuar nga federata botërore në rrjetin social X.
Nga IIHF-ja theksuan se mbeten të përkushtuar për mbrojtjen e integritetit të organizatës dhe të sportit të hokejit.
Vendimi i CAS-it për Rusinë shkakton polemika
Në botën e hokejit ka shkaktuar reagime të shumta vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), i marrë në fund të tetorit.
CAS-i vendosi se përfaqësueset ruse mund të rikthehen në garat ndërkombëtare, pavarësisht vazhdimit të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Megjithatë, rikthimi i Rusisë vazhdon të jetë temë e ndjeshme në arenën ndërkombëtare.
Kanadaja tashmë ia ka refuzuar përfaqësueses ruse lëshimin e vizave për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror për lojtarët deri në 20 vjeç. Moska ka paralajmëruar se do ta dërgojë sërish këtë çështje për shqyrtim në CAS.
Gjermania kërkon një vendim të shpejtë
Gjermania, e cila në vitin 2027 do të organizojë Kampionatin Botëror të divizionit elitar, dëshiron që sa më shpejt të merret një vendim përfundimtar në lidhje me pjesëmarrjen e Rusisë.
Qeveria gjermane ende nuk dëshiron të deklarohet nëse do t'ua refuzojë vizat hokeistëve rusë. Megjithatë, qëndrimi i saj është i ngjashëm me atë të Federatës Gjermane të Hokejit (DEB), e cila konsideron se organizimi i kampionatit me pjesëmarrjen e Rusisë nuk do të ishte i mundur.
Disa shtete, mes tyre edhe Finlanda, kampione aktuale e botës, kanë paralajmëruar se nuk kanë ndërmend të luajnë kundër përfaqësueseve ruse.
Federata Gjermane e Hokejit dhe sekretari shtetëror për sport, Ronald Rauhe, shpresojnë që IIHF-ja, e drejtuar nga gjermani Franz Reindl, të marrë vendim për përjashtimin e përgjithshëm të përfaqësueseve ruse nga garat ndërkombëtare.
Këtë e raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA.