Naomi Osaka dhe Rafael Nadal tërhiqen nga Wimbledon-i

Tenis

Naomi Osaka dhe Rafael Nadal tërhiqen nga Wimbledon-i

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 04:49
Rafael Nadal dhe Naomi Osaka

Dy yjet e tenisit botëror, Naomi Osaka dhe Rafael Nadal njoftuan se nuk do të jenë të pranishëm në Wimbledon, në turneun më të vjetër të tenisit Grand Slam, i cili u anulua vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Agjenti i Osakës, Stuart Duguid, shkroi të enjten në një email se kampionia katër herë e titullit Grand Slam ka në plan të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Verore dhe nuk do të konkurronte në Wimbledon.

"Ajo po merr ca pushime me miqtë dhe familjen e saj," shkroi Duguid. "Do të jetë gati për Lojërat Olimpike dhe është e ngazëllyer që do të luajë para tifozëve në vendin e saj."

Osaka, 23 vjeç ka lindur në Japoni nga një nënë japoneze dhe një baba haitian. Familja e saj u shpërngul në Shtetet e Bashkuara kur ajo ishte 3 vjeç.

Osaka është aktualisht atletja më e paguar dhe ishte Sportistja e Vitit 2020ën.

Muajin e kaluar, Osaka u gjobit me 15,000 dollarë kur nuk pranoi të fliste me gazetarët pas fitores së saj në raundin e parë të kampionatit French Open. Një ditë më vonë ajo u tërhoq plotësisht nga turneu, duke thënë se kishte përjetuar "ankth" para se të takohej me median dhe zbuloi se "kishte kaluar periudha të gjata depresioni".

Në një deklaratë të postuar në Twitter në atë kohë, ajo tha se do të "qëndronte ca kohë larg nga fusha e tenisit, por kur të jetë koha e duhur, dua të punoj me zyrtarët e turneut për të diskutuar mënyra se si t'i bëjmë gjërat më mirë për lojtarët, shtypin dhe tifozët", shkroi lojtarja.

Osaka ka luajtur në Wimbledon tre herë, dy herë duke dalë nga turnamenti në raundin e tretë dhe një herë duke humbur në raundin e parë në vitin 2019.

Turneu i Wimbledonit, i cili u anulua në vitin 2020 për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore për shkak të shqetësimeve të COVID-19, fillon më 28 qershor. Garat olimpike për tenisin hapet më 24 korrik.

Nadali, dy herë kampion i Klubit All England, njoftoi të enjten përmes një serie postimesh në rrjetet sociale se ai do të humbasë gjithashtu Lojërat Olimpike të Tokios për të pushuar dhe shëruar "trupin".

"Qëllimi", tha 35-vjeçari spanjoll, "është të zgjas karrierën time dhe të vazhdoj të bëj atë që më bën të lumtur".

Nadali humbi ndaj Novak Djokovic-it në katër sete rraskapitëse që zgjatën më shumë se katër orë në gjysmëfinale e kampionatit French Open javën e kaluar – humbja e tretë vetëm në karrierën e tij prej 108 ndeshjesh në këtë kampionat.

Nadali vuri në dukje lodhjen si një nga arsyet e humbjes ndaj Djokovic-it.

Të enjten, ai shpjegoi në një postim në Twitter se shmangia e "çdo lloji të tepërt" të aktivitetit të trupit "është një faktor shumë i rëndësishëm në këtë fazë të karrierës time në mënyrë që të përpiqem të vazhdoj të luftoj për nivelin më të lartë të konkurrencës dhe titujve".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat