Tenistja kineze Peng Shuai bën një bisedë video me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar

Tenis

Tenistja kineze Peng Shuai bën një bisedë video me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 00:31
Ylli kinez i tenisit Peng Shuai

Ylli kinez i tenisit Peng Shuai pati njëbisedë me video të dielën me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe i tha atij se ishte mire dhe jo në rrezik tha IOC, pasi qeveritë perëndimore kishin shprehur shqetësim në rritje për mirëqenien e saj.

Disa fotografi dhe video të saj në një turne për fëmijë në Pekin, të publikuara më herët gjatë ditës, nuk kishin mundur ta fashisnin shqetësimin pas një mungese publike gati trejavore që kishte pasuar deklarimet e saj se një ish-zyrtar i lartë kinez e kishte sulmuar seksualisht.

Me anë të një deklarate, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar tha se Peng e filloi bisedën 30-minutëshe me presidentin Thomas Bach duke falënderuar organizatën për interesimin për gjendjen e saj.

"Ajo shpjegoi se është mirë, po jeton në shtëpinë e saj në Pekin, por se do të donte që të respektohej privatësia e saj gjatë kësaj kohe," thuhet në deklaratën e IOC-së.

"Kjo është arsyeja pse ajo preferon ta kalojë kohën me miqtë dhe familjen për momentin. Megjithatë, ajo do të vazhdojë të merret me tenis, sportin që e do aq shumë", vazhdon deklarata.

Ministri i Jashtëm i Francës u kishte bërë thirrje më herët autoriteteve kineze të jepnin më shumë garanci, duke i bërë jehonë një deklarate të Shoqatës së Tenisit për Gra se pamjet e tenistes Peng në turne ishin prova "të pamjaftueshme".

"Unë dua që ta dëgjoj atë të flasë" tha Jean-Yves Le Drian i Francës për televizionin LCI, duke shtuar se mund të kishte pasoja diplomatike nëse Kina nuk e sqaronte situatën. Zyra e tij nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi deklaratën e IOC-së.

Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kishin kërkuar Kinës që të jepte prova për vendndodhjen e Peng.

Tenistet që nga Naomi Osaka deri tek Serena Williams dhe Billie Jean King iu bashkuan thirrjeve se duhej konfirmuar që ajo ishte e sigurt.

Numri 1 i botës në tenis, Novak Gjokoviç tha se do të ishte e çuditshme të mbaheshin turne në Kinë nëse nuk zgjidhej kjo situatë "e tmerrshme".

Shqetësimi për tenisten Peng erdhi pasi grupet globale të të drejtave dhe të tjerë kishin bërë thirrje për një bojkot të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin në shkurt për shkak të gjendjes së të drejtave të njeriut në Kinë.

Më 2 nëntor, Peng postoi në mediat sociale kineze se ish-zëvendëskryeministri Zhang Gaoli e kishte sulmuar seksualisht disa vite më parë.

As Zhang dhe as qeveria kineze nuk e kanë komentuar pretendimin e saj. Postimi i Peng në rrjetet sociale u fshi shpejt dhe tema është bllokuar nga diskutimi në internetin tepër të censuruar të Kinës./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat