E akuzoi si të dehur, Kyrgios në telashe prej avokates

Tenis

E akuzoi si të dehur, Kyrgios në telashe prej avokates

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 17:59
E akuzoi si të dehur, Kyrgios në telashe prej avokates

Telashet e ndjekin si me magnet Nick Kyrgios, mirëpo disa të tilla, tenisti australian me origjinë greke ia shkakton edhe vetë vetes. Pikërisht, problemi më i fundit për Kyrgios vjen nga një polemikë e kotë që 27-vjeçari nisi teksa luante finalen e Wimbledon në muajin korrik përballë Novak Djokovic. Kështu, teksa po përgatitej për të shërbyer, Kyrgios ankohet tek gjyqtari për zhurmat e tepruara nga ana e spektatorëve ndërsa thekson se një vajzë ishte e dehur dhe nuk po kontrollonte veprimet e saj.

“Nxirreni atë jashtë, duket sikur ka kthyer 700 gota me alkool”, u shpreh Kyrgios në mes të lojës me Djokovic. Në fakt, punonjësit e sigurisë e larguan për momentin vajzën, megjithatë sapo ajo u identifikua si e paalkoolizuar u rikthye sërish për të ndjekur finalen në vendin e saj të cilin e kishte paguar shumë shtrenjtë.

Duket se kjo histori nuk është mbyllur, të paktën për vajzën polake, Anna Paulus e cila tashmë ka vendosur të ndjekë në rrugë ligjore të gjithë episodin me Kyrgios pasi pretendon se australiani dëmtoi imazhin e saj.

“Gjatë finales së Wimbledon, Kyrgios tha diçka të pavërtetë dhe të pabazuar për mua. Ishte një akuzë e drejtpërdrejtë. Diçka e tillë më kushtoi shumë sepse më larguan për disa minuta nga arena, por akuzat false të Kyrgios u transmetuan drejtëpërdrejtë dhe u panë e dëgjuan nga miliona njerëz në botë. Kjo i shkaktoi familjes sime dhe mua shumë stres. Nuk jam njeri që merrem me polemika, por pasi e mendova gjatë këtë situatë, kam vendosur të hap një proces kundër Kyrgios në mënyrë që të pastroj emrin tim.

Me këtë veprim kam si qëllim që diçka e tillë të mos përsëritet dhe nëse do të ketë një dëmshpërblim monetar, ai do të dërgohet për bamirësi. Shpresoj që Kyrgios të reflektoj dhe të kuptoj dëmin që më shkaktoi mua dhe familjes sime”, u shpreh 32-vjeçarja e cila si profesion ka pikërisht avokatinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat