Carlos Alcaraz ka shkruar një tjetër kapitull të artë në historinë e tenisit botëror, duke u bërëlojtari më i ri që kompleton Career Grand Slam, pas triumfit të tij të parë në Australian Open. Tenisti spanjoll, vetëm 22 vjeç, mposhti Novak Djokovic në finale dhe siguroi titullin e shtatë Grand Slam në karrierë.
Me këtë sukses, Alcaraz u rendit mes legjendave të sportit, duke u bërë vetëm lojtari i gjashtë në epokën Open që fiton të katër turnetë madhorë – Australian Open, French Open, Wimbledon dhe US Open. Ai theu rekordin e Rafael Nadalit, i cili e kishte arritur këtë sukses në moshën 24-vjeçare.
Fitorja ndaj Djokovic ishte edhe një tjetër dëshmi e dominimit të Alcarazit në vitet e fundit. Spanjolli ka fituar pesë nga tetë Grand Slam-et e fundit, ndërsa ka triumfuar në shtatë nga tetë finalet madhore që ka zhvilluar, duke humbur vetëm një herë.
Alcaraz ka fituar nga dy herë French Open, Wimbledon dhe US Open, ndërsa Australian Open ishte trofeu i vetëm që i mungonte për të kompletuar koleksionin. Përmirësimi i dukshëm në shërbim dhe loja e gjithanshme e kanë bërë atë një kundërshtar tepër të vështirë për çdo rival.
“Çdo vit kam ardhur në Australi me ëndrrën për ta fituar këtë turne. Këtë herë isha i uritur për më shumë. Është një ëndërr e bërë realitet,” u shpreh Alcaraz pas finales.
Me paraqitjet e tij mbresëlënëse, Carlos Alcaraz vazhdon të konfirmohet si lider i brezit të ri dhe një emër që pritet të dominojë tenisin botëror për shumë vite në vazhdim.