Ish-tenisti italian Paolo Bertolucci beson se do të jetë shumë e vështirë për këdo që ta ndalë Jannik Sinner në turneun Roland Garros.
“Sinqerisht nuk e di çfarë mund ta pengojë Jannik Sinnerin në fushatën e tij në Francë.
Ndoshta vetëm nëse do të kishte një revolucion tjetër…
Duhet thënë se shtatë ndeshjet e Roland Garros nuk janë rrugë pa pengesa dhe aspak të lehta.
Por nëse italiani konfirmon se është mirë fizikisht dhe nuk ndodh diçka vërtet e jashtëzakonshme, e kam të vështirë të mendoj se dikush mund ta mposhtë”, tha Bertolucci.
Ai theksoi se ndeshjet më të gjata, që luhen në formatin më i miri nga pesë sete, favorizojnë lojtarin më të fortë.
“Kujtoni Roger Federer, Rafael Nadal dhe Novak Gjokoviq? Po të kishin mundësi, do t’i luanin të gjitha ndeshjet në këtë format.
Kur bëhet fjalë për ndeshje që zgjasin vetëm një orë e gjysmë, edhe Sinner mund të hasë vështirësi, siç ndodhi ndaj Daniil Medvedev në gjysmëfinalen e Romës.
Por në një ndeshje prej tre orësh, aktualisht nuk ka asnjë lojtar që mund të përballojë ritmin dhe shpejtësinë e Jannikut ose të Carlos Alcaraz. Dhe duke qenë se spanjolli nuk do të marrë pjesë, ta rrëzosh numrin një në këtë formë është utopi”, u shpreh ai.
Sipas Bertoluccit, as temperaturat e larta në Paris nuk pritet të ndikojnë shumë te italiani.
“Dikush mund të thotë se vapa – me temperatura që në javën e parë pritet të arrijnë deri në 34 gradë – mund ta nxjerrë nga ritmi, por nuk besoj se Sinner do të kërkojë të luajë në mbrëmje, sepse ndryshe nga shumë tenistë, ai preferon të mos ndryshojë rutinën e tij”, shtoi ish-tenisti italian.