Janik Siner nuk do të marrë pjesë në turneun ATP 500 të Pekinit, duke shtyrë edhe më tej rikthimin e tij në fushë.
Numri një i botës e bëri të ditur vendimin përmes një videoje të publikuar në profilin e tij zyrtar në “X”, duke shpjeguar se gjuri i djathtë nuk është rikuperuar ende plotësisht. “Gjuri nuk është në gjendjen që do të doja dhe nuk ndihem ende gati për të garuar.
Do të bëj gjithçka për të qenë sa më shpejt në fushë”, u shpreh Sinner. Tenisti italian tha se ndihet veçanërisht i zhgënjyer që nuk do të jetë në Pekin, ku sezonin e kaluar fitoi titullin. Ai iu drejtua edhe tifozëve, duke theksuar se i mungojnë turneu, atmosfera dhe mbështetja e tyre. Sinner shpreson të rikthehet në këtë turne në vitin 2027.
Kështu, vazhdon mungesa e gjatë e 24-vjeçarit, i cili nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare që prej 12 korrikut, kur triumfoi në Uimbëlldon. Ende nuk dihet me siguri se kur do të jetë rikthimi i tij, ndërsa në kalendarin e ardhshëm janë turnetë e Shangait, nga 7 deri më 18 tetor, dhe Vjenës, nga 26 tetor deri më 1 nëntor.
Mungesa në Pekin ka ndikim edhe në garën për vendin e parë në renditjen ATP. Avantazhi i Sinerit ndaj gjermanit Aleksandër Zverev, aktualisht i dyti në botë, është ngushtuar në 1370 pikë.
Situata favorizon matematikisht një afrim të mëtejshëm të Zverevit, i cili ka shumë më pak pikë për të mbrojtur në këtë periudhë të sezonit. Siner, ndërkohë, duhet të mbrojë një total prej 3000 pikësh nga rezultatet e sezonit të kaluar, përfshirë triumfet në Vjenë, Paris dhe ATP Finals. Zverev, në të kundërt, kishte grumbulluar vetëm 110 pikë gjatë turneve aziatikë një vit më parë.
Sipas llogaritjeve të renditjes, një fitore në Pekin dhe një tjetër në Shangai do t’i jepnin mundësinë gjermanit të ngjitej në krye të klasifikimit botëror.