Italia sërish në finalen e Davis Cup

Tenis

Italia sërish në finalen e Davis Cup

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 00:22
Tenistët italianë festojnë

Kampionia e tri edicioneve të fundit të Davis Cup, Italia, falë Lorenzo Musettit, është sërish një hap larg triumfit në këtë garë prestigjioze.

Italia është kualifikuar për herë të katërt radhazi në finalen e Davis Cup. Skuadra e drejtuar nga Filippo Volandri triumfoi 2:1 ndaj Çekisë në gjysmëfinalen e zhvilluar në Bologna të Italisë.

Heroi i italianëve ishte Lorenzo Musetti. Tenisti italian, që renditet në vendin e 27-të në botë, fillimisht mposhti në ndeshjen individuale Jakub Mensikun (ATP 15), me rezultat 2:0 (6:3, 6:4).

Në ndeshjen e dytë individuale, Flavio Cobolli (ATP 7) u mposht nga Jiri Lehecka (ATP 14) me rezultat 1:2 (2:6, 6:1, 3:6), duke bërë që rezultati i gjysmëfinales të barazohej në 1:1.

Kështu, vendimi për finalist u përcaktua në ndeshjen e dysheve, ku Musetti u paraqit së bashku me Andrea Vavassorin.

Pas humbjes së setit të parë, dyshja italiane arriti të përmbyste rezultatin dhe të mposhtte çiftin çek Lehecka/Tomas Machac me rezultat 2:1 (3:6, 6:1, 7:6).

A do ta fitojë Italia titullin e katërt radhazi?

Cobolli dhe Vavassori ishin pjesë edhe e ekipit italian që triumfoi në vitin 2025. Vavassori atëherë luante në dyshe me Simone Bolellin.

Kundërshtari i Italisë në finale do të përcaktohet të shtunën, në përballjen ndërmjet Spanjës, finalistes së edicionit të kaluar, dhe Britanisë së Madhe.

Me një triumf të katërt radhazi në Davis Cup, Italia do të arrinte një sukses historik, duke u bërë kombëtarja e parë që realizon këtë seri që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të viteve 1970.

Italia tashmë ka regjistruar 16 fitore radhazi në përballjet e Davis Cup, duke dëshmuar dominimin e saj në këtë garë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat