Kryeministri Kurti priti në takim medalistët e Kampionatit Evropian

Xhudo

Kryeministri Kurti priti në takim medalistët e Kampionatit Evropian

Më: 20 prill 2021 Në ora: 19:41
Kryeministri Kurti priti në takim medalistët e Kampionatit Evropian

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Zëvendësministren Daulina Osmani, priti sot në kabinetin e tij xhudistët kosovarë, të cilët u kthyen me suksese të mëdha nga Kampionati evropian i xhudos.

Së bashku me xhudisten Distria Krasniqi, e cila fitoi medaljen e artë në kampionat, xhudistin Akil Gjakova, i cili po ashtu fitoi medalje të artë dhe Nora Gjakova medaljen e bronztë ishin edhe trajneri i tyre Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Kryeministri Kurti uroi xhudistët për performancat e tyre në kampionatin evropian që u zhvillua më 16-18 prill, në Lisbonë të Portugalisë.

Image

Kryeministri Kurti falënderoi kryetarin e Federatës së xhudos dhe trajnerin Driton Kuka për punën e pandalshme dhe kontributin e tyre për konsolidimin e imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare.

“Është kënaqësi shumë e madhe të shoh Kosovën të renditet e para në mesin e 45 shteteve të Evropës”, tha kryeministri Kurti. Me urim të veçantë iu drejtua, ndërkaq, xhudistit Akil Gjakova, i cili për herë të parë u shpall kampion i Evropës dhe solli medaljen e parë ndërkombëtare në kategorinë e meshkujve.

Gjatë takimit u diskutua për qytetin e Pejës si vend me histori dhe traditë në sportin e xhudos, dhe kryeministri Kurti vuri në pah faktin se si një lagje e Pejës po prodhon kampionë të nivelit ndërkombëtar.

Kryetari i Federatës së xhudos, Agron Kuka dhe trajneri Driton Kuka i uruan kryeministrit për detyrën, duke i dëshiruar shumë suksese dhe veçanërisht i kërkuan mbështetje për rregullimin e problematikave me të cilat sfidohet sektori i sportit.

Trajneri Driton Kuka shpalosi pritshmëritë e tij për Lojërat Olimpike Tokyo 2020, teksa tha se “reprezentacioni jonë ka mundësi të mëdha për të fituar medalje Olimpike”.

Ministri Çeku dhe zëvendësministrja Osmani shprehën gatishmërinë e tyre për përkrahjen maksimale të sportistëve kosovarë, duke shpresuar se edhe sportet e tjera do të ndjekin rrugën e sukseseve të sportit të xhudos.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat