Qyteti i Sanjos, dekoratë speciale për ekipin Olimpik të Republikës së Kosovës

Xhudo

Qyteti i Sanjos, dekoratë speciale për ekipin Olimpik të Republikës së Kosovës

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 17:09
Qyteti i Sanjos, dekoratë speciale për ekipin Olimpik të Republikës së Kosovës

Qyteti i Sanjos në Prefekturën e Niigatas ka ndarë një dekoratë speciale për Ekipin Olimpik të Xhudos të Republikës së Kosovës.

Me ftesë të Kryetarit të qytetit të Sanjos z. Ryo Takizawa, i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Japoni Arbër Mehmeti ka vizituar këtë qytet për të marr pjesë në ceremonitë zyrtare me rastin e ndarjes të një dekoratë speciale për Ekipin Olimpik të Xhudos të Republikës së Kosovës.

Në emër të mjeshtri të xhudos z. Driton Kuka, trajner i nivelit botëror që Kosovës i ka sjellë tre medalje të arta olimpike, i ngarkuari me punë në ambasadën e Kosovës në Japoni z. Arbër Mehmeti ka pranuar dekoratën speciale të cilën e ka ndarë kryetari i Sanjos z. Ryo Takizawa.

Në fjalën e tij para pranishmëve, diplomati Mehmeti ka shprehur mirënjohje dhe vlerësimet më të larta për qytetarët e qytetit të Sanjos dhe kryetarin Takizawa i cili është mik i Kosovës dha ka mbështetur xhudistët tanë në prag të lojërave olimpike, Tokyo2020.

Më tej, z. Mehmeti tha se përkundër vështirësive dhe frikës nga COVID-19, zyrtarët e qytetit por edhe qytetarët e Sanjo kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe e bënë të mundur pritjen dhe akomodimin e suksesshëm për ekipin e xhudos së Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tyre në qytetin tuaj, xhudistët tanë përveçse i bënë ushtrimet finale në Sanjo, ata gjithashtu kishin mundësi që gjatë qëndrimit disa ditor këtu të ambientohen dhe të përshtaten me klimën e vendit para fillimit të Olimpiadës në Tokio, rrjedhimisht sot të gjithë në Kosovë ndajnë mendimin se qyteti i Sanjos ka luajtur një rol të rëndësishëm që ekipi olimpik i Kosovës të fitojë dy medaljet e arta në xhudo tha në fjalën e tij z. Mehmeti.

Në fund, i ngarkuari me punë në Japoni, z. Arbër Mehmeti, duke shprehur bindjen e tij se bashkëpunimi në mes të Sanjos dhe Kosovës do të vazhdoj edhe në fusha tjera në të ardhmen, ai ka falënderuar edhe një herë kryetarin Takizawa dhe qytetin e Sanjos në emër të trajnerit Kuka dhe të çdo sportisti të Kosovës për këtë dekoratë speciale e cila është edhe e para e këtij lloji që vije nga një qytet japonez për sportin në përgjithësi dhe xhudon në veçanti.

Motivacioni i kësaj dekorate speciale:

Fitimi i dy medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020 (Xhudo) dhe kontributi i jashtëzakonshëm në promovimin e sportit, gjithashtu edhe bashkëpunimi i shkëlqyer gjatë kampit stërvitor para Lojërave Olimpike në qytetin Sanjo.

Qëllimi i kësaj dekorate: Për të nderuar angazhimin dhe arritjet në përmirësimin e qeverisjes së qytetit, promovimin e industrisë, promovimin e kulturës, promovimin e mirëqenies së qytetarëve dhe veprat e mira që shërbejnë si modele për qytetarë e qytetit Sanjo.

Sportistët të cilët kanë pranuar dekoratë të ngjashme më parë:

Qyteti i Sanjos këtë dekoratë speciale e ka ndarë edhe në dy raste të tjera, një futbollisti të kombëtares japoneze me prejardhje nga ky qytet kur ishte kualifikuar Japonia në kampionatin botëror dhe një sportisti të dytë nga ky qytet me Kanoe që kishte fituar vendin e parë në Lojërat Olimpike Aziatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat