E mbyllën vitin me sukseset më të larta botërore, Akili dhe Distria tregojnë synimet e mëtutjeshme

Xhudo

E mbyllën vitin me sukseset më të larta botërore, Akili dhe Distria tregojnë synimet e mëtutjeshme

Më: 5 mars 2022 Në ora: 14:23
Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi

Sporti i xhudos në Kosovë është duke prekur podiumet më të mëdha evropiane dhe botërore, ku emrat si Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi, kanë arritur ta përfaqësojnë shtetin tonë në mënyrë tejet dinjitoze.

Në një intervistë për Kp, xhudisti kosovar Akil Gjakova, tregoi synimet e tij të radhës, pas sukseseve që i arriti në vitin që lamë pas, ku edhe është kampion evropian pas triumfit në Kampionatin Evropian të Portugalisë.

Po ashtu, Gjakova tregoi që sporti i xhudos është jeta e tij. Kurse, medalja olimpike është qëllimi i tij në Olimpiadën e ardhshme.

Gjakova: Jeta ime është veç sport, synimi kryesorë është medalja olimpike

“Sigurisht jeta ime tash është veç sport, është xhudo, kështu që synimi kryesorë është medalja olimpike. Në Tokio, domethënë në Olimpiadën e kaluar jam radhit i shtati, kam arrit tri fitore me i bërë, por që nuk kam arrit me marrë medalje. Tash e tutje mbetet vetëm me punu sa më shumë, dhe po shpresoj dhe po besoj që në Olimpiadën e ardhshme me fitu medalje”, tha Gjakova.

Krahas Akilit, synim të njëjtë ka edhe e arta olimpike dhe xhudistja më e mirë në botë, Distria Krasniqi.

Distria për Kp tha se viti në të cilin gjendemi do të shërbejë si rrugëtim drejt Lojërave Olimpike Paris 2024, ku në këto të fundit dëshiron që të përsërisë suksesin e arritur në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Krasniqi: Ky vit do të jetë një rrugëtim drejt Lojërave Olimpike Paris 2024

“Këtë vit i kam pasur dy gara. Në të dyja garat jam kthyer me medalje, medaljen e artë dhe të argjendtë, dhe shpresoj që ky vit ka me vazhdu kështu. Ka me qenë sikur një rrugëtim drejt Lojërave Olimpike që do të mbahen në Paris 2024, edhe besoj që gjithçka ka me shku mirë, dhe synimi im janë prapë Lojërat Olimpike, pse jo me përsërit titullin e njëjtë", tha Krasniqi.

Ndërkaq, të dy xhudistët në fjalë ditë më parë në ceremoninë e “Laureatëve”, u zgjodhën nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), si sportistët më të mirë të vitit 2021. E për këtë Akili dhe Distria u shprehën tejet të kënaqur me çmimet në fjalë.

Xhudisti Akil Gjakova e mbylli vitin 2021 me disa suksese të vazhdueshme, ku ndër të tjera u kurorëzua kampion evropian në Kampionatin Evropian të Lisbonës.

Në Lojërat Olimpike Tokio 2020, Gjakova arriti një tjetër sukses, ku u rendit në pozitën e shtatë, ndërkaq në Grand Slam Tbilisi, ai përfundoi në vendin e pestë.

Në Mastersin që u zhvillua në Doha të Katarit më 11 janar të vitit 2021, Akili arriti që të pozicionohet në vendin e shtatë me dy lufta të fituara.

Të gjitha këto suksese ia siguruan Gjakovës epitetin e sportistit më të mirë të vitit që lamë pas nga KOK, çmim ky që merr për herë të tretë radhazi, respektivisht në vitin 2018, 2019 dhe tani për vitin 2021.

Me rastin e kurorëzimit si sportisti më i mirë i vitit 2021, Akili tha se përmes këtij çmimi po tregohet puna e tij ndër vite.

Gjakova: Po tregohet puna ime ndër vite

“Ky është çmimi që e fitoj tre herë radhazi, tu u shpall sportisti i vitit. Është një kënaqësi e veçantë, sepse po tregohet edhe puna ime që e kam bërë ndër vite, por shpresoj që kështu me vazhdu tutje dhe që karrierën time ta përmbush me medalje të tjera”, tha Gjakova.

Në anën tjetër, epitetin e më të mirës në sport për vitin 2021 e fitoi edhe xhudistja dhe e arta olimpike, Distria Krasniqi, e cila me sukseset e saja fantastike bëri që flamuri i Kosovës të valojë krahas shteteve më të forta në aspektin e sportit në botë.

Krasniqi e mbylli vitin 2021 me medalje të artë në Mastersin e Dohas të Katarit, me të artë në Kampionatin Evropian të Lisbonës, medalje të artë olimpike në Olimpiadën Tokio 2020, dhe si xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021.

Në një intervistë Krasniqi tregoi që këtë vit përzgjedhja e më të mirës së sportit nga femrat, ishte më e vështirë për arsye se ishin dy medaliste të arta olimpike.

Krasniqi: Konkurrenca këtë vit ishte e fort, nëse do të zgjidhej Nora nuk do më kishte mbetur hatri

“Është një çmim i rëndësishëm. Është hera e dytë që e marrë këtë çmim. Vitin e kaluar e kom marrë prapë këtë çmim që e kom marrë sonte, por sivjet e bënë edhe më të veçantë sepse konkurrenca ka qenë e fortë, ku këtë vit kanë qenë dy kampione olimpike dhe ka qenë e vështirë se cilën me përzgjedh”, tha Krasniqi.

Në ceremoninë e “Laureatëve” 2021, krahas Distria Krasniqit dhe Akil Gjakovës, çmime fituan edhe Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, ku Kelmendi mori çmimin "Merita të Veçanta", për kontributin e dhënë gjatë karrierës së saj, ndërsa Gjakova fitoi “Çmimin Special”, në kategorinë e femrave për vitin 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat