Agron Kuka me disa fjalë për Driton Kukajn dhe Arsim Maxherën 

Xhudo

Agron Kuka me disa fjalë për Driton Kukajn dhe Arsim Maxherën 

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 16:25
Driton Kuka dhe Arsim Maxhera

Sot u bë promovimi i librit “Kryemjeshtri” për trajnerin me famë botërore në xhudo, Driton Kuka, me autor Arsim Maxhera, gazetar i mirënjohur sportiv. 

Në promovimin që u mbajt në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, morën pjesë një numër i madh, si personalitete të ndryshme sportive, po ashtu edhe figura politike dhe studentë e studente. 

Arsim Maxhera, autor i librit, ka folur në pika të shkurta për librin, duke thënë se është munduar që t’i pasqyrojë në libër të arriturat e Driton Kukajt që nga fëmijëria e deri me tash të karrierës kulmore të tij.

Image

Agron Kuka, gjatë fjalimit

Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha se Maxhera ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Toni Kukajn, trajnerin më të mirë në planet.   

Kryemjeshtri Kuka, ka arritur që në cilësinë e trajnerit të fitojë tri medalje të arta olimpike, dhjetëra medalje botërore, evropiane, dhe në gara tjera të shumta, duke e lartësuar Kosovën edhe në vendet që nuk e kanë njohur shtetin tonë.

“Të nderuar të pranishëm i nderuari ministër z. Çeku, i nderuari kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës z. Krasniqi të nderuar kryetarë të partive politike z. Haradinaj dhe z. Krasniqi i nderuari autor i librit z. Maxhera, i nderuari Kryemjeshtër Toni.

Një përshëndetje e veçantë për pionieret e xhudos së Kosovës, prezent duke filluar nga baci Adem e të gjithë me radhë. Në emër të federatës së xhudos së Kosovës dua t'ju përshëndes dhe të shpreh kënaqësinë për prezencën tuaj.

I nderuari Arsim të shkruash një libër të gjithë e dimë që është goxha punë por të shkruash një libër për një vepër jetësore të një kolosi siç është Toni përveç punës të është dashur sakrificë, profesionalizëm e mbi gjitha pasion për sportin, e në veçanti xhudon!

E ke shpërfaqur në mënyrë fantastike karakterin e Tonit që nga fëmijëria e deri te kulminacioni i tij me shpalljen trajneri më i mirë në kontinentin e Evropës dhe planetin Tokë!

Të shkruash për Tonin sigurisht që krahas sportit ke hasur edhe në veprat e tij dedikuar vendit në angazhimin për liri e pavarësi e që ne sot jo rastësisht po bëjmë edhe promovimin e këtij libri për nder të pavarësisë së vendit tonë Kosovës!

I nderuari Arsim të përgëzoj për punën dhe përkushtimin në shkruarjen e këtij libri ndërsa Tonit i uroj shëndet të plotë e të vazhdojë ta  bëjë krenar kombin shqiptar!”, tha në fjalimin e tij Agron Kuka. 

Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, çmoi lartë veprën e kryemjeshtrit Kuka, por përgëzoi edhe autorin Maxhera për punën e bërë, derisa theksoi se sukseset do të qëndrojë edhe në zyret e KOK-ut për t’u përdorur për mysafirë special, të cilët do të njihen me madhështinë e sukseseve të xhudos, suksese të cilat uroi të rriten në LO Paris 2024.

Ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku, u shpreh se kudo që ka udhëtuar është pyetur për suksesin e madh të xhudos sonë, e që theksoi se çelësin e këtij suksesi e di më së miri Driton Kuka, të cilin e quajti personalitet përtej personaliteteve të njohura edhe nga bota e politikës. 

Në ceremoninë e organizuar në amfiteatrin e Institutit "Ali Hadri" të pranishëm ishin edhe kampionet olimpike, kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat