Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një mesazh të fuqishëm gjatë vizitës në Pejë, ku sot kanë nisur punimet për zgjerimin e Qendra Nacionale e Xhudos.
Ai bëri të ditur se për këtë projekt janë ndarë 5.7 milionë euro, duke theksuar rëndësinë e investimit në sport.
‘Hodhëm gurthemelin e palestrës dhe qendrës së re multifunksionale në kuadër të Qendrës Nacionale të
Xhudos në Pejë, një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për sportin e vendit tonë, për të cilin janë ndarë 5.7 milionë euro.
Në shtator të vitit 2022 lansuam projektin “Kosova - Shtet i Xhudos”, ndërsa sot po vazhdojmë këtë rrugëtim me vendosjen e gurthemelit të Qendrës Nacionale, jo si një nisje e re, por si vijimësi e suksesit në vendin e kampionëve të botës.
Kjo qendër, e përuruar në vitin 2021, ka qenë burim i shumë titujve botërorë nën udhëheqjen e mjeshtrit të xhudos Toni Kuka. Andaj, është detyrë e jona që të shpërblejmë mundin, suksesin dhe sakrificën e secilit pjesëtar të këtyre arritjeve të jashtëzakonshme.
Në palestrën e re, pjesë e Qendrës Nacionale të Xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.
Urime të gjithë sportistëve, sportdashësve dhe qytetarëve të vendit tonë!”, ka shkruar kryeministri Kurti në profilin e tij në facebook.