Përfundon seanca për shpalljen e aktgjykimit në Hagë
Ka përfunduar seanca në Gjykatën Speciale në Hagë, ku u shpall aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij në rastin për pengim të drejtësisë.
Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht.
Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.
Hajredin Kuçi dënohet me një muaj burgim me kusht
Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht.
Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse Kuçi nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.
Fadil Fazliu dënohet me 12 muaj burgim
Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar Fadil Fazliun me 12 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.
Megjithatë, ai do të lirohet pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ia mbulon dënimin e shqiptuar.
Isni Kilaj shpallet i pafajshëm, lirohet pas seancës
Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur të pafajshëm Isni Kilajn për akuzat në rastin për pengim të drejtësisë.
Gjyqtari Christopher Gosnell urdhëroi lirimin e tij pas përfundimit të seancës.
Bashkim Smakaj dënohet me 12 muaj burgim
Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar Bashkim Smakajn me 12 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë, ku i akuzuar është edhe Hashim Thaçi.
Gjykata Speciale e shpall fajtor Thaçin, e dënon me 17 muaj burgim
Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor Hashim Thaçin për disa pika të aktakuzës në rastin për pengim të drejtësisë.
Gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi ndaj tij një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.
Gjyqtari: Nuk u provua tentativa e Thaçit dhe Kilajt për pengim të drejtësisë
Gjyqtari Christopher Gosnell tha se gjatë vizitës së Isni Kilajt në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, më 6 tetor 2023, Hashim Thaçi i dha atij udhëzime lidhur me dëshminë që duhej të jepte dëshmitari i identifikuar si Dëshmitari 4.
Megjithatë, sipas gjyqtarit, provat nuk tregojnë se Kilaj ndërmori ndonjë hap për ta kontaktuar këtë dëshmitar. Po ashtu, nuk u gjetën prova se vizitori tjetër, Kryeziu, kishte ndërhyrë.
“Në këto rrethana, nuk jam bindur se janë përmbushur kriteret”, tha Gosnell, duke mos konstatuar tentativë të Thaçit dhe Kilajt për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.
Por, gjyqtari konstatoi se Thaçi u kishte zbuluar Kilajt dhe Kryeziut informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë.
Gjyqtari: Thaçi zbuloi informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë
Gjyqtari Christopher Gosnell tha se Hashim Thaçi zbuloi informacione konfidenciale për pesë dëshmitarë të tjerë, përveç Bislim Zyrapit.
Gjyqtari: Smakaj i përcolli udhëzime dëshmitarit Bislim Zyrapi
Gjyqtari Christopher Gosnell tha se Bashkim Smakaj u takua me dëshmitarin Bislim Zyrapi më 24 tetor 2023 dhe i përcolli udhëzime.
Ky takim u përmend gjatë shqyrtimit të provave që lidhen me akuzat për tentativë të pengimit të drejtësisë ndaj Hashim Thaçit dhe Smakajt.
Gjyqtari: Thaçi dhe Smakaj diskutuan për dëshmitarin Bislim Zyrapi
Gjyqtari Christopher Gosnell tha se Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.
Thaçi akuzohet gjithashtu për zbulim të informacioneve konfidenciale, ndërsa Smakaj për ndihmë në kryerjen e veprës së mosbindjes ndaj gjykatës.
Gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit, Gosnell iu referua një bisede mes Thaçit dhe Smakajt për dëshmitarin Bislim Zyrapi.
“Mos e përziej, mos e përziej... Çfarë qeverie e përkohshme? Çfarë shërbimi inteligjent, bre?... Komandantët, komandantët”, citoi gjyqtari fjalët e Thaçit.
“Ata kanë dalë jashtë, ashtu janë edhe letrat. Thuaji mos e ngatërro, o burrë”, ishte një tjetër pjesë e bisedës së cituar nga gjyqtari.