Teksa adhuruesit e modës presin ardhjen e ditëve më të freskëta për të kaluar nga vera në atmosferën gotike dhe romantike të vjeshtës, Nicole Kidman ka dëshmuar se nuk ka nevojë të presim.
Në premierën në Los Angeles të filmit “Practical Magic 2”, aktorja u shfaq me një fustan të zi, transparent dhe të punuar me dantellë nga Versace, duke tërhequr vëmendjen me një pamje elegante, sensuale dhe misterioze.
Fustani, përtej siluetës së tij asimetrike dhe qafores së përshtatur, kishte një rëndësi të veçantë për shtëpinë italiane të modës. Ai është dizajni i parë i Pieter Mulier si drejtor i ri kreativ i Versace, duke ofruar një vështrim të parë mbi drejtimin e ri estetik të markës.
Mulier, i cili së fundmi u largua nga Alaïa, ku qëndroi për pesë vite, njihet për mënyrën se si eksploron anët më të errëta të feminitetit përmes modës. Krijimet e tij ndërthurin elemente romantike, detaje delikate, materiale të rafinuara dhe paleta të errëta ngjyrash.
Me këtë paraqitje të Kidman, Versace duket se po hap një kapitull të ri, ku sensualiteti, drama, luksi dhe një atmosferë misterioze ndërthuren në mënyrë të natyrshme.
Në këtë kuptim, pamja e Nicole Kidman ishte më shumë sesa një zgjedhje mode për tapetin e kuq – ishte një prezantim i hershëm i vizionit të ri të Pieter Mulier për Versace.