Thuhet se, kur nga bota e rrejshme na "ikin" të moshuarit, na ikë edhe një pjesë e historisë 

Diaspora

Thuhet se, kur nga bota e rrejshme na "ikin" të moshuarit, na ikë edhe një pjesë e historisë 

Nga: Haki Latifi Më: 10 janar 2021 Në ora: 23:09
Musë Hadërgjonaj

Sot isha i prekur thellë kur përmes telefonit miku im Zeqir Gjukaj ma kumtoj lajmin se; paska ikur në amshim edhe një bashkëveprimtar dhe atdhetar, Baca Musë Hadërgjonaj, ish themeluesi dhe kryetar i Nëndegës së LDK-së Langnau im Emmental. Për fat të keq gjatë kësaj periudhe vetëm lajme të trishta dëgjojmë.

Na dridhet zemra për njerëzit tanë të dashur kur përballemi me pandeminë. Trishtohemi kur miqtë sëmuren e gëzohemi kur e mundin këtë virus tinëzar. Herën e fundit e vizituam bacën Musë Hadërgjonaj në ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2019, së bashku me bashkëveprimtarin dhe mikun tim Shaip Zeka. Baca Musë bashkë me zonjën e tij, na pritën me përzemërsi të përziera me emocione dhe bujarinë e mikpritjës Dukagjinase.

Ai, më 28 shkurt të këtij viti do të mbushë 83 vjet. Në kujtimet e mia do të mbetët si një burrë i urtë dhe atdhetar. Në planin njerëzor ishte tepër i veçantë si rrallëkush. Burrë me moral dhe i brumosur me virtyte të larta shqiptare, të fituara në fëmijërinë e tij të hershme në Rrafshin e Dukagjinit, ku bashkë me këngët e kreshikëve e traditën e kuvendeve historik, Ai kishte marrë së andejmi edhe burrërinë, edhe bujarinë dhe, mbi të gjitha, thjeshtësinë e Dukagjinasit krenarë. Dihet se, të shkruash për miqtë e shtrenjtë të jetës dhe të familjes është shumë e vështirë nga droja e subjektivizmit.

Në kujtesën time kam shumë detaje nga shoqërimi ynë i veprimtarisë së përbashkët, shumë vëllazëror, biseda të çiltëra, të sinqerta, fjalë zemre, pa doreza, këshilla e shaka. Me këtë shkrim modest s’bëra asgjë tjetër vetëm se shleva një borxh ndaj këti veprimtari, ndaj këtij biri të Rrafshit të Dukagjinit, i urtë, fjalëmatur e punëmbarë, për të gjithë veprimtarinë dhe punën e tij. Kjo është, jo vetëm nder, por edhe obligim e detyrë e jona. Shëmbëlltyra dhe kontributi i bacës Musë, na bën krenar, që e patëm këtë veprimtar, bashkëkombës dhe mik të tillë.

Duke i kujtuar veprat e tij të mira në shërbim të atdheut, do ta kemi më lehtë ta përballojmë edhe dhembjen, që sot na rëndon me rastin e largimit të tij nga mesi ynë. I ndjeri Baca Musë, faleminderit prej Zotit, la plotë familjen, djem, vajza, nipa e mbesa, ku njëri ndër nipat është edhe, Florent Hadergjonaj, i cili me sukses aktualisht po luan fudball në kampionatin anglez. Prehu në paqe, i dashur baca Musë! Përjetësisht i paharruar do të mbetesh!

Zoti ju shpërbleftë! I lehtë i qoftë dheu i Kosovës të cilën e deshi aq shumë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat