Apeli burgos përjetë shqiptarët për vrasjen e avokatit grek: Historia e eliminimeve të bujshme mes veti pas krimit të rëndë

Diaspora

Apeli burgos përjetë shqiptarët për vrasjen e avokatit grek: Historia e eliminimeve të bujshme mes veti pas krimit të rëndë

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 16:24
Michalis Zafeiropoulos

Gjykata e Apelit e Athinës ka lënë në fuqi vendimet shkallës së parë për vrasjen e avokatit të njohur grek Michalis Zafeiropoulos.

Për këtë vrasje, të cilësuar si e kryer me paramendim dhe me gjakftohtësi, gjykata kishte dhënë tre burgime të përjetshme për Klodian Lekoçajn, Brahim Brahimin dhe Olti Duçen pasi i gjeti fajtorë për organizimin dhe kryerjen e vrasjes së avoktit grek.

Të tre ata gjenden të burgosur tashmë në Greqi për krime të tjera, ndërsa dënimit do t’i shtohen edhe ato që Apeli i Athinës la sot në fuqi.

Të tre shqiptarët akuzohen se planifikuan dhe ekzekutuan vrasjen e avokatit të njohur grek për shkak të një porosie të marrë nga një biznesmen tjetër grek. Sipas mediave greke, ishte Aristides Floros ai që kërkoi ekzekutimin e avokatit Zafeiropoulos pas një gjyqi që kishte kompania e Floros me shtetin grek, i cili përfaqësohej i ndjeri.

Bëhet fjalë për nbë aferë 260 milion euro që Floros i kishte përfituar dhe ishte hedhur në gjyq nga shteti grek që kishte avokat pikërisht Zafeiropoulosin.

Gjykata ka zbuluar se Floros i kërkoi shqiptarëve vrasjen e avokatit që po i hapte probleme.

Por nuk mbaron këtu.

Pasi kryen vrasjen e avokatit, mes shqiptarëve dhe ndaj tyre filloi një furi tjetër vrasjesh, një pjesë për larje hesapesh si edhe për të humbur gjurmët.

I gjithë grupi i drejtuar nga Klodian Lekoçaj dhe Arbër Bako (i therur në burg para dy vitesh) u shkatërrua me disa të vrarë, të tjerë të arratisur dhe me Lekoçajn në burg përjetë.

Mes biznesmenit grek dhe vrasjeve mes veti, si po eleminohen shqiptarët në burgjet greke

Arbër Bako, Olti Duçe dhe Klodian Lekocaj ishte treshja e shumë përfolur e shqiptarëve, të cilët së bashku me dy shqiptarë dhe dy grekë të tjerë akuzohen se ishin një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë.

Emri i Bakos dhe shokëve të tij do të dilte në vitin 2014, kur ai qëlloi me kallashnikov një lokal në Athinë duke lënë të plagosur 15 persona. Policia e arrestoi atë disa ditë më parë, ndërsa në dosje kishte edhe krime te tjera të tij.

Bako mundi të dalë nga burgu deri në vitin 2017 kur u ekzekutua avokati i njohur grek Mihalis Zafeiropoulos, i cili ishte futur në burg një biznesmen të njohur grek.

Sipas mediave greke, Aristidis Floros kishte vjedhur 260 milion euro të shtetit grek përmes mashtrimit. Kur ishte në burg, biznesmeni në fjalë mendoi të hakmerrej ndaj avokatëve duke porositur kështu bandën e shqiptarëve për vrasjen e tij.

Policia greke dyshon se porosinë për vrasjen e avokatit e morën pikërisht Arbër Bako, Klodian Lekocaj dhe Olti Duçe. Këta të fundit ia përcollën porosinë “ushtarëve” të tyre, Aleksandër Mata (i bënë vjet atentat në Vlorë) dhe Mikel (Brahim) Brahimaj duke bërë kështu që të vritej avokati.

Fill pas kësaj, policia i arrestoi të pesë shqiptarët duke i përballur edhe me akuzat.

Në këtë periudhë nis ndërkohë edhe eleminimi i dëshmitarëve të vrasjes së avokatit.

Tashmë grupi i shqiptarëve ishte shkatërruar edhe ata akuzonin njëri-tjetrin për nxjerrjen e emrave duke i mundësuar kështu prokurorisë qepjen e dosjes.

Gjatë viteve të fundit në burgjet greke janë vrarë tre shqiptarë që kishin dijeni për vrasjen në fjalë, të cilët do të dëshmonin në gjyq.

Dëshmia ishte edhe shkaku i transferimit të Arbër Bakos nga Chania për në burgun e Koridalos, ku edhe u masakrua me thika nga një shqiptar dhe një grek.

Autoritetet greke dyshojnë se urdhrin për vrasjen e Bakos e ka dhënë ish-shoku i tij, Klodian Lekocaj.

Policia greke përgjoi një bisedë të Klodian Lekocaj me të burgosurin Brahim Brahimaj, i cili goditi Arbër Bakon.

Në këtë bisedë, bosi i mafias së burgut madje duket se qorton vrasësin e Bakos pse ai e ka vrarë atë jashtë qelisë së burgut, ndryshe nga çfarë ishte planifikuar.

Kjo kishte sjellë pasoja, pasi kamera të sigurisë kishin filmuar skenën duke djegur një bashkëpunëtori 25-vjeçar grek këtë herë, i cili ishte urdhëruar që pas lirimit të tij të kryente detyra të caktuara që banda do t’i besonte.

“Të thashë 100 herë që ta bësh brenda dhomës tënde”, i tha Lekocaj për të marrë si përgjigje justifikimin: “Nuk bëhej. Si mund ta bëja brenda dhomës kur ai po më shikonte? Prisja të kthehej pak që të mund të nxirrja thikën. E gjeta rastin vetëm aty tek dera, sapo u kthye ia futa një në zverk”.

Në burg është ekzekutuar gjithashtu edhe Bardhyl Tusha, i cili dyshohet se strehoi në shtëpinë e tij njërin prej vrasësve të avokatit grek. Policia tha se kishte vdekur nga mbidoza e drogës, por familjarët deklarojnë se ai nuk konsumonte lënde narkotike dhe se ishte helmuar nga banda e ciganëve në burg.

Akuza për tentativë vrasje në burg ka patur edhe nga Klodian Lekocaj. Policia ka marrë masa shtesë për mbrojtjen e Lekocajt në një kohë që e akuzon se porositi vrasjen e Bakos dhe dëshmitarëve të tjerë.

Sa i përket Aleksandër Matës, ndaj tij u krye një atentat në 27 maj 2019 në fshatin e tij në Vlorë, ku mbeti aksidentalisht i vrarë Raqi Mëhillaj që po udhëtonte me të.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat