Potenciali intelektual i Diasporës Shqiptare në mëkëmbjen e vendeve amë

Diaspora

Potenciali intelektual i Diasporës Shqiptare në mëkëmbjen e vendeve amë

Nga: Albina Hyseni, Prof Dr Fadil Çitaku. Më: 18 korrik 2021 Në ora: 07:06
Albina Hyseni, Prof Dr Fadil Çitsku.

Potenciali intelektual dhe përvojat e Diasporës Shqiptare nuk po shfrytëzohen fare në mëkëmbjen e vendeve amë. Diaspora Shqiptare është shumë e përgatitur profesionalisht ti ndihmojë vendet amë në shumë fusha të rëndësishme për prosperitetin e qytetarëve siç janë etika, empatia, komunikimi, demokracia e mirëfilltë, ekonomia, arsimi, shëndetësia, arti, sporti, politika etj. Arsyet për këtë mos-shfrytëzim nuk dihen sepse nuk kemi kërkime të mirëfillta shkencore, që mund ta vërtetonin ndonjë hipotezë. Interpretime përse këto asete të çmuara nuk shfrytëzohen ka shumë. Në këtë shkrim ne nuk duam të shkojmë në interpretime, por duam ti dajmë më lexuesit tetë fakte përse intelektualet dhe intelektualët e Diasporës Shqiptare do të duhej të involvoheshin në procese të ndryshme në mëkëmbjen e trojeve amë.

Diaspora Shqiptare posedon kuadro intelektuale të specializuara dhe më përvojë dekadash në shtetet perëndimore

Diaspora Shqiptare tani ka gra dhe burra që janë të shkolluar/a nëpër institutet dhe universitetet më prestigjioze të botes. Këto bija dhe këta bij të kombit më dekada të tëra janë duke dhënë kontribut të madh në shtetet perëndimore për zhvillimin e më tejshëm të tyre, si në arsim, biznes, shkencë, teknologji, ekonomi, shëndetësi, art, sport, lidership etj.

Diaspora Shqiptare është shumë punëtore

Ç’do grua dhe burrë i Diasporës Shqiptare më shumë punë dhe mund ka arritur aty ky ajo/ai është. Këta njerëz të vyer kanë krijuar një reziliencë të çeliktë kundër stresit, duke u përballuar më shumë vështirësi dhe barriera që stereotipet dhe klishetë e vendeve perëndimore përkatëse kishin dhe ende kanë ndaj Shqiptarëve.

Diaspora Shqiptare ka një histori të orientimit social

Diaspora Shqiptare është shumë e pastër, atë që ka arritur e ka arritur më djersë dhe është shumë krenare më të arriturat e veta. Ajo ka një histori të orientimit social, pra kurrë nuk ka marrë asgjë nga vendet amë, por ka dhuruar shumë çdo herë për vendet amë. Kjo do të thotë që Diaspora Shqiptare është e mësuar të jap për vendet amë e jo të merr nga ato.

Diaspora Shqiptare ka përvojën e demokracisë

Diaspora Shqiptare duke jetuar nëpër vendet perëndimore që kanë përvoja të gjata demokratike, ka fituar një kulturë të vërtetë demokratike. Shumë nga ato/ata kanë lindur në shtetet perëndimore dhe nga sjelljet dhe kultura nuk i dallon dot nga njerëzit që dem-baba-dem kanë rrënjët e tyre në perëndim. Fatkeqësisht në vendet amë nuk ka demokraci të mirëfilltë, ende dominon politika e klaneve, ajo korruptive diktatoreske, dramaturgjike- vetëshkatërruese e tipit ballkanik.

Diaspora Shqiptare ka traditë organizative për ti shpëtuar vendet amë

Shikuar historikisht, çdo herë kur vendet amë kanë qenë të rrezikuara Diaspora Shqiptare ka ditur të vetorganizohet dhe të shpëtojë mëmëdheun. Edhe përvoja e fundit e luftës së Kosovës dëshmon se në formimin e UÇK-së kontributin më të madh e dhanë Diaspora Shqiptare. Shumë gra dhe burra nga Diaspora Shqiptare dhanë edhe jetën për lirinë e Kosovës. Diaspora Shqiptare edhe tani është e gatshme ti ndihmojë vendet amë të mëkëmben.

Diaspora Shqiptare ende është duke i shpëtuar vendet amë nga insolvenca totale

Diaspora Shqiptare ndanë kafshatën e gojës më vendet amë, vetëm e vetëm që këto të fundit mos të falimentojnë. Po mos të ishin miliarda euro që çdo vit vinë nga Diaspora Shqiptare, vendet amë do duhej të bënin insolvencë totale, siç ju deshtë Greqisë të bëj para ca vitesh, edhe pse Greqia vetëm nga turizmi fiton në vit miliarda Eurosh dhe ende është ekonomikisht më e fortë se shtetet amë. Thënë shkurt, po mos të ishte Diaspora Shqiptare në vendet amë nga varfëria do plasnin luftëra civile.

Diaspora Shqiptare mund të ndihmojë vendet amë në avancimin e kompetencave të lidershipit

Teoria më bashkëkohore e shkencës së lidershipit e definon lidershipin si një proces, i cili ndihmon individin dhe shoqërinë të zhvillohen dhe të arrijnë maksimumin e potencialeve kognitive, intelektuale, emocionale dhe sociale. (Çitaku 2012). Shkencëtarët e lidershipit (Çitaku 2012, Mano, Çitaku, Ëaldrop et al. 2018) theksojnë se, roli i lidershipit në organizatë, institut apo politikë është vital për të avancuar në drejtim të duhur. Të njëjtit autorë theksojnë se mungesa e kompetencave të lidershipit definitvisht sjell falimentimin e organizatës, institutit apo shtetit. Diaspora Shqiptare intelektuale duke jetuar dhe vepruar në vendet më zhvilluara të botës ka marrë shprehi në kultivimin e shumë kompetencave të lartëpermendura dhe padyshim do mund të kontribuonte që këto vlera të avancohen edhe në vendet amë, të cilat definitivisht do të ndihmonin në ngritjen e prosperitetit të popullit tonë. 

Konkludim

Më sipër kemi dhënë një pasqyrë të shkurtë përse Diaspora Shqiptare do duhej të involvohej më shumë në mëkëmbjen e vendeve amë.  Për këtë involvim qeveritë e vendeve amë do duhej të krijonin platforma serioze me profesionist qe dinë të komunikojnë ne mënyrë efikase me specialistët e fushave të ndryshme nga Diaspora Shqiptare. Do duhej të formohen grupe punuese të përbëra nga ekspertët e vendeve amë dhe atyre të Diasporës Shqiptare, ku do duhej të formuloheshin objektivat e qarta në lëmi të ndryshme. Këto objektiva do duhej të ishin specifike, të matura, fizibile dhe sa më reale, që do mund të realizoheshin në praktikë. Kështu, duke përjetuar suksese në jetësimin e projekteve të ndryshme truri i të gjithë atyre që janë të involvuar në projektin përkatës do takonte më shumë neurotransmiter dopaminë dhe serotoninë dhe kështu do të shtohej motivimi i të gjithë të involvuarve. Ky motivim do shërbente që të involvohen sa më shumë eksperte dhe ekspertë në projektet e radhës dhe kështu hap pas hapi, por sigurt, vendet amë sipas principit «gurë gurë bëhet mur» do mund të mëkëmbeshin në të gjitha fushat, duke ju mundësuar qytetarëve të vet të jetojnë një jetë të dinjitetshme, jetë kjo që e meriton ç’do qenie njerëzore.

Autorët:

Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME (Uni Bern) është profesor i Lidershipit dhe Inteligjencës Emocionale për programet Doktoratë, PhD, MSc. dhe MAS; Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Zvicër; Supervizor në universitetin prestigjioz ETH në Zvicër; Shkencëtar; Këshilltar dhe trajner i liderëve më kalibër të lartë; Folësi kryesor në shumë konferenca ndërkombëtare me reputacion. Kontakti: [email protected]    www.alss-edu.ch

Albina Hyseni, ka studiuar Administratën Publike Marrëdhëniet Ndërkombëtare Studimet Evropiane; ka Njohuri të gjera Psikologjike, Teknike dhe Farmaceutike.

Tekst shkruese shkencore nga më të ndryshmet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat