238.5 milionë euro për tre muaj u dërguan nga mërgimtarët në Kosovë

Diaspora

238.5 milionë euro për tre muaj u dërguan nga mërgimtarët në Kosovë

Më: 23 maj 2022 Në ora: 21:08
Foto ilustrim

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave të dërguara nga diaspora për familjet e tyre në Kosovë, ka arritur shifër rekord.

238.5 milionë euro janë dërguar nga vendet e tjera drejt Kosovës dhe kjo bazuar në raportin e fundit të lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Gjatë muajve janar, shkurt dhe mars 2022, vlera e remitancave ishte 238.5 milionë euro”, shkruan në raportin e BQK-së.

​Sigurisht se remitencat në Kosovë paraqesin kategorinë më të madhe financiare në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore.

Në fakt, përgjatë viteve, dërgesat e parave nga diaspora, përbëjnë një burim të madh të të ardhurave në Kosovë. Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, remitancat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove, raporton RTKlive.

Sipas të dhënave të BQK-së, remitancat më së shumti dërgohen nga Gjermania, Zvicra, Italia, Austria.

Qytetarët e Kosovës kryesisht jetojnë në numër më të madh në këto shtete.

Kosova ka varësi të  madhe nga  remitancave, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas  Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, apo  1.3 për qind e popullatës së përgjithshme, raporton RTKlive.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850 mijë persona.

Me planin e Qeverisë është paraparë që nga viti i parë i qeverisjes, të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ka nisur ose jo zbatimi i këtij plani.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat