Shqiptarja vrau veten në burg, flet i përlotur i dashuri i saj

Diaspora

Shqiptarja vrau veten në burg, flet i përlotur i dashuri i saj

Më: 11 gusht 2022 Në ora: 20:41
Leonardo Di Falvo dhe Donatella Hodo

Leonardo Di Falvo, i dashuri i 27-vjeçares shqiptare Donatella Hodo, e cila javën e kaluar, duke thithur gaz nga soba në qeli, i dha fund jetës në burgun Veroneze të Montorios, ka reaguar për herë të parë.

Falvo ka deklaruar se “nuk ishte vetëvrasje e një të droguare në burg. Donatella, Dona ime, kishte një vit që ishte e pastër. Tani që iku, lexoj dhe dëgjoj komente për helmin. Shumë po bëjnë gjykime pa ditur asgjë për të. Jam i inatosur…”.

Para se të kryente aktin e rëndë, ajo i la një letër të fundit dashurie Leonardos ku shkruante: “Ti je gjëja më e bukur që më ka ndodhur. Leo, më fal!”.

Sot 24-vjeçari ka thyer heshtjen për herë të parë pas tragjedisë.

“Jam i zemëruar me gjithë botën, me sistemin, burgun, gjyqtarët, gardianët, familjen, miqtë e saj. Por unë jam i mërzitur edhe me të, me Donën, sepse ajo duhej të bënte edhe pak durim. Ajo do të dilte së shpejti, unë kisha përgatitur gjithçka për të”, shprehet ai.

Ai shton më tej se të gjithë “e kishin lënë vetëm” Donatelën, dhe se i vetmi që i qëndronte pranë ishte ai.

“E dëgjoja, e qetësoja, i qëndrova pranë, e telefonova, shkova ta vizitoja. Sidomos në periudhën e fundit pasi e kishin rikthyer në qeli sepse kishte ikur nga komuniteti, e kishin braktisur. Të gjithë përveç meje”, nënvizon i riu.

Leonardo zbulon se e ka parë për herë të fundit në mëngjesin e 1 gushtit, ditën e saj të fundit të jetës.

“Sepse atë natën ajo iku përgjithmonë. Me gjestin e saj më bllokoi edhe mua jetën. Koha ka ndalur për mua, minutë pas minutë, orë pas ore, vazhdoj të pyes veten pse. Çfarë i ndodhi asaj? Ka ndodhur diçka që unë nuk e di? Ajo ishte Dona e zakonshme… me ulje-ngritjet e saj. E kisha njohur që kur ishim adoleshentë, të paktën për dhjetë vjet, isha i vetmi që mund ta qetësoja”, shprehet ai.

Sa i përket përshëndetjes së fundit me Donën, ai zbulon: “Thamë të dua, u puthëm duke u përqafuar. Me t’u larguar, e sigurova se do ta telefonoja dhe do të kthehesha tek ajo javën tjetër, si gjithmonë. Nuk kam munguar kurrë, do të kisha bërë gjithçka për të, gjithçka”.

Në vijim, Leonardo zbulon se sapo të dilte nga burgu 27-vjeçarja, do të shkonin të jetonin bashkë.

“Unë e mora një shtëpi me qëllim për të qenë bashkë, ajo ëndërronte të bëhej estetiste dhe unë i kisha gjetur një punë kur të dilte. Do ta kisha pritur përgjithmonë, pse na e prishi kështu ëndrrën? Ne i premtuam njëri-tjetrit dashuri përgjithmonë, pse shkatërroi gjithçka? Çfarë ndodhi?”, thotë Leonardo i shkatërruar moralisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat