Humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për gjithë komunitetin e Luginës së Preshevës dhe diasporën shqiptare. Ai ishte një njeri me vlera të larta, një intelektual i vërtetë, i cili la gjurmë të pashlyeshme te të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.
Prof. Bujar Halili vinte nga një familje atdhetare nga Tërnoci i Madh, një familje që gjithmonë ka dhënë kontribut të çmuar për çështjen kombëtare dhe arsimin shqip. Ai trashëgoi vlerat e babait të tij, ishte vëllau i PhD. Llukman Halilit, i cili ishte gjithashtu një personalitet i shquar dhe mik i pazëvendësueshëm për shumë njerëz. Ashtu si i ati, edhe Bujari ishte njeri i dijes, i kulturës dhe i traditës shqiptare.
Gjatë jetës së tij, ai punoi për një kohë të gjatë si profesor në Luginën e Preshevës, duke kontribuar në arsimimin dhe formimin e brezave të rinj. Më pas, ai u vendos në Francë me familjen e tij, por kurrë nuk e harroi vendlindjen. Tërnoci ishte gjithmonë pjesë e fjalëve dhe kujtimeve të tij, dhe ai mbeti i lidhur shpirtërisht me vendin e tij, me miqtë dhe bashkatdhetarët.
Ishte serioz, i sjellshëm, fisnik dhe i guximshëm, një mik i sinqertë dhe besnik. Dashuria e tij për familjen ishte e pakufishme; ai i donte me gjithë shpirt bashkëshorten, djalin Sunajin, vajzën, dhëndrin, vëllanë Xhabirin, nipërit e mbesat, si dhe të gjithë të afërmit. Një njeri me zemër të madhe, që gjithmonë mirëpriste miqtë me dashuri dhe bujari. Sa herë që e vizitonim në Francë, ai nuk na linte të largoheshim pa një kafe në shtëpi, e shpesh bisedat mes miqve shndërroheshin në dreka e darka të mbushura me kujtime e respekt.
Përveçse një intelektual i përkushtuar, ai ishte edhe një valltar i mrekullueshëm, një shpirt i lirë dhe i gëzuar që e donte jetën dhe kulturën shqiptare. Edhe pse vitet e fundit u përball me probleme shëndetësore, ai kurrë nuk u dorëzua. Ai luftoi me dinjitet, duke mbetur po ai njeri i fortë dhe i vendosur deri në fund.
Ndarja e tij nga jeta më 21 mars ka lënë një boshllëk të madh në zemrat e të gjithëve. Ai do të mungojë shumë, por kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përherë. Lugina e Preshevës ka humbur fizikisht një personalitet të madh, por shpirti i tij do të mbetet i gjallë në kujtimet e familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën.