Një përleshje mes shqiptarëve në Itali përfundoi në mënyrë tragjike, me humbjen e jetës së 43-vjeçarit Vladimir Topjana në qytetin Fontanafredda, provinca e Pordenones, mbrëmjen e së dielës më 6 prill.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, pranë një lokali në Via Buonarroti, ku Topjana mbeti i vrarë nga një plumb në kokë, pas një konflikti fizik me bashkëkombasin Roger Shota, autorin e dyshuar të krimit.
Sipas hetimeve paraprake, gjithçka nisi si një sherr verbal për një pronë në Shqipëri, që më pas u përshkallëzua në dhunë. Fillimisht debati ndodhi në një lokal në Sacile, por më pas dy burrat u përballën sërish në Fontanafredda.
Gjatë konfliktit fizik, Topjana ka kafshuar veshin e Shotës, duke provokuar një reagim të menjëhershëm dhe fatal: Shota nxori armën dhe e qëlloi në kokë.
Në vendngjarje ndodhej edhe babai i Roger Shotës, i cili u arrestua gjithashtu. Të dy ndodhen tani në paraburgim – biri në burgun e Pordenones, ndërsa i ati në burgun e Trevisos – me akuzën e vrasjes së rëndë me paramendim dhe përdorim të armës së zjarrit.
Autoritetet italiane njoftuan se arma e përdorur u gjet në vendngjarje, ndërsa hetuesit po analizojnë çdo detaj për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes. Rezultati i autopsisë pritet të ketë rol të rëndësishëm në përcaktimin e përgjegjësisë penale të babait.
Policia italiane ka ndërhyrë menjëherë për mbledhjen e provave, ndërsa hetimet janë në vijim. Dyshohet se konflikti për tokë kishte një histori të gjatë mosmarrëveshjeje mes familjeve.