29-vjetori i vrasjes së Bujar Kaloshit, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në Shqipëri

Diaspora

29-vjetori i vrasjes së Bujar Kaloshit, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në Shqipëri

Nga: Beqir Sina - New York Më: 27 korrik 2025 Në ora: 21:24
Arkiv

Më 26 korrik 1996, Bujar Kaloshi, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, u vra në detyrë në Tiranë. Vrasja e tij, akti i parë terrorist me prapavijë politike në vitet e para të demokracisë në Shqipërinë post-komuniste, tronditi opinionin publik vendas dhe diasporën. Edhe pas 29 vitesh, kjo vrasje mbetet e pazbardhur, me motive të lidhura me aktivitetin e tij politik dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Bujar Kaloshi u vra në një lagje periferike të Tiranës, “Fusha e Aviacionit”, ku jetonte me familjen pas një kalvari persekutimesh. Vrasja u konsiderua akt terrorist, me dyshime që drejtojnë gishtin te organizata kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”. Pavarësisht hetimeve, drejtësia për të ende mungon.

Figura e Bujar Kaloshit

Bujar Kaloshi (1956-1996) lindi në kampin e internimit në Gradishtë, Lushnje, ku kreu shkollimin fillor, tetëvjeçar dhe të mesëm. Si bir i një familjeje të persekutuar, atij iu mohua e drejta për studime të larta, pavarësisht rezultateve të shkëlqyera. Me fillimin e lëvizjes demokratike, ai u bë një nga themeluesit e Partisë Demokratike në Lushnje dhe nismëtar i proceseve demokratike në këtë qytet.

Në vitin 1992, pas fitores së Partisë Demokratike, Kaloshi u emërua Drejtor i Departamentit të Policisë Financiare. Më 1995, pas diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë dhe Kolegjin Ushtarak, ai mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve me gradën Kolonel. Në këtë rol, ai u dallua për luftën pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lidhjeve të ish-Sigurimit të Shtetit me udhëheqës të Partisë Socialiste, ish-Partia e Punës. Kaloshi gjithashtu themeloi Shoqatën Antikomuniste Demokratike.

Persekutimi i familjes Kaloshi

Familja Kaloshi u persekutua që nga vendosja e diktaturës komuniste në 1946. Bujari, i lindur në internim, u rrit në kushte të vështira, por kurrë nuk u dorëzua. Përkushtimi i tij për demokraci dhe drejtësi e bëri atë një figurë të shquar dhe të respektuar.

Kujtimi nga e bija, Viola Kaloshi

Në një postim në X, Viola Kaloshi përkujton babain e saj si simbol të integritetit, fisnikërisë dhe patriotizmit:

In Memoriam

Sot, 29 vite nga dita kur dora kriminale të goditi, babi. Dhimbja dhe malli për ty, mamin dhe Vilsonin janë një plagë e pashërueshme. Jam krenare për vlerat që më ke përcjellë. Ju keni qenë gjithmonë pranë meje, duke më dhënë kurajë dhe dinjitet për të ecur përpara.

Ti ishe jo vetëm babai im, por një burrë fisnik, shtetar i ndershëm dhe njeri me vlera të larta. Vrasja jote mbetet trauma më e madhe e jetës sime, por kujtimi yt më jep forcë për të kërkuar drejtësi. Do të jesh gjithmonë në zemrën time.

Image
Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat