Një operacion i gjerë nga Agjencia Kombëtare Kundër Krimit në Britaninë e Madhe (NCA) ka çuar në zbulimin e një ferme kanabisi në zonën e Dudley, si dhe në arrestimin e gjashtë personave, përfshirë edhe shtetas shqiptarë.
Gjatë bastisjeve të zhvilluara sot në disa prona në Dudley dhe Birmingham, oficerët zbuluan rreth 80 bimë kanabisi me një vlerë të përllogaritur rreth 80 mijë paund. Gjatë kontrollit, u sekuestruan gjithashtu 50 mijë paund para cash dhe rreth 20 kilogramë kanabis i tharë, i fshehur në një papafingo.
Mes të arrestuarve janë një shqiptar 34-vjeçar, një grua 29-vjeçare dhe një burrë 21-vjeçar, të cilët ndodhen në shkelje të ligjeve të imigracionit dhe do t’i nënshtrohen procedurave nga Zyra e Imigracionit.
Në një tjetër bastisje në Warstone Lane, Birmingham, oficerët gjetën rreth dy kilogramë kokainë dhe arrestuan dy burra të moshës 23 dhe 25 vjeç, të dyshuar për trafik droge të klasit A. Po ashtu, në një hambar kopshti në Pumphouse way u zbuluan pajisje të sofistikuara për kultivimin e kanabisit.