Shqiptarë, afrikanë dhe egjiptianë sherr masiv në Milano, një 32-vjeçar përfundon në spital në gjendje të rëndë

Diaspora

Shqiptarë, afrikanë dhe egjiptianë sherr masiv në Milano, një 32-vjeçar përfundon në spital në gjendje të rëndë

Më: 21 shtator 2025 Në ora: 09:08
Foto ilustrim

Një sulm i dhunshëm me thikë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në rrugën Pellizza da Volpedo, në zonën Amendola të Milanos.

Sipas informacioneve paraprake, një 32-vjeçar me origjinë egjiptiane është qëlluar disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Ai u gjet dhe u ndihmua nga ekipet mjekësore dhe u transportua me urgjencë në spitalin Niguarda, në gjendje të rëndë. Megjithatë, raportet e para mjekësore kanë përjashtuar rrezikun për jetën, raportojne mediat italiane. 

Nga rindërtimi fillestar i ngjarjes, rezulton se i plagosuri ndodhej në shoqërinë e dy bashkatdhetarëve të tij, kur u sulmua papritur nga një grup prej rreth dhjetë personash. Sipas dëshmive, mes agresorëve kishte shtetas nga Afrika e Veriut dhe Shqipëria.

Motivi i sulmit është ende i panjohur, ndërsa autorët janë larguar nga vendngjarja para mbërritjes së policisë dhe ambulancës. Kur forcat e rendit arritën në vend, gjetën vetëm tre egjiptianët, mes tyre 32-vjeçari dhe dy të tjerë që nuk kanë pësuar lëndime.

Dy egjiptianët që nuk u plagosën janë marrë në pyetje nga karabinierët, të cilët po përpiqen të zbulojnë shkakun e mundshëm të sulmit dhe të identifikojnë autorët.

Ndërkohë, kamerat e sigurisë në zonë pritet të luajnë një rol kyç në hetim. Pamjet do të analizohen për të parë nëse kanë kapur momentin e sulmit, largimin e autorëve ose ndonjë detaj tjetër të dobishëm për hetimin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat