Në fund të tetorit, qyteti i Klinës përjeton një ritëm të gjallë pune, zhvillimi e mikpritjeje. Rrugët janë përplot mjete pune në afërsi, kamionë dhe zhurma makinerish që po përgatisin një infrastrukturë të re e me rëndësi strategjike në zemër të Dukagjinit. Nga qyteti shihen punimet në rrugën që vjen nga Prishtina për në Pejë.
Nga Prishtina deri në Klinë udhëtimi është i rehatshëm, por sapo i afrohemi qytetit, shihet gjallëria e punimeve që po e lidhin Klinën me Pejën, Gjakovën e Deçanin – një arterie jetike që do ta lehtësojë qarkullimin dhe do ta shfryjë ngarkesën e komunikacionit që dikur rëndonte mbi këtë zonë.
Nga Presheva në Klinë – Një rrugëtim miqësie
Udhëtimi nga Presheva deri në Klinë zgjat rreth katër orë. Jo për shkak të distancës së madhe, por për shkak të gjendjes jo të mirë të rrugëve, sidomos në segmentin Gjilan–Prishtinë. Banorët e Anamoravës tashmë e presin me padurim autostradën e re që do të lidhë Gjilanin me Prishtinën dhe më tej me pjesën perëndimore të Kosovës.
Klina të pret gjithmonë me zemër të hapur.
Atje e kemi mikun Avni Berisha nga Volljaku i Klinës që jeton e vepron me familje në Zvicër. Në këtë qytet është e pamundur të largohesh pa bukë, ujë e kafe – mikpritja është pjesë e identitetit të klinasve. Kështu ndodhi edhe gjatë vizitës sonë, e cila, përveç që ishte e veçantë, përfshiu edhe një takim zyrtar në komunën e Klinës, me kryetarin aktual të saj, profesor doktor Zenun Elezaj.
Takimi në komunën e Klinës – Një atmosferë miqësie dhe bashkëpunimi
Objekti i komunës së Klinës shquhet për pamjen e tij moderne dhe organizimin e rregullt. Në hyrje valviten krenar flamuri kombëtar dhe ai i Republikës së Kosovës. Me mikun tim, Berisha, u pritëm ngrohtësisht nga stafi komunal, të cilët na drejtuan në zyrën pritëse ndërsa kryetari po përfundonte një takim. Rregulli dhe korrektësia e administratës më lanë përshtypje të veçantë – një model që tregon përkushtimin e kësaj komune ndaj rendit dhe profesionalizmit.
Miku im, Avni Berisha, është një emër me reputacion të lartë në këtë anë, jo vetëm për kontributin familjar dhe moral, por edhe për sakrificën e madhe që familja e tij ka dhënë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës – me vëllain e tij, dëshmorin Bedri B. Berisha, që pushon përjetësisht në varrezat e dëshmorëve të Klinës.
Një bisedë për mërgatën dhe zhvillimin e vendit
Pas takimit paraprak, kryetari prof. dr. Zenun Elezaj na mirëpriti me shumë respekt dhe falënderim. Diskutimi ishte miqësor dhe përqendrohej kryesisht në jetën e mërgatës dhe situatën aktuale në Luginën e Preshevës. Në takim mori pjesë edhe PhD Dashnim Hebibi, president i Institutit Helvetik për Evropën Juglindore me seli në Zvicër, kryeredaktor i qendrës mediale sam24.info, dhe kryetar i shoqatës humanitare “Lugina e Preshevës” me seli në Zvicër, z. Bekim Hebibi dhe Avni Berisha. Z. Hebibi i propozoi kryetarit Elezaj që Komuna e Klinës të krijojë një muze për mërgatën, një hapësirë simbolike që do të ruajë kujtimet, historinë dhe kontributin e shqiptarëve jashtë atdheut. Ai po ashtu theksoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet komunës dhe mërgatës, veçanërisht në nxitjen e investimeve dhe afrimin e brezave të rinj me vendlindjen.
Kryetari Elezaj, me një qëndrim të qartë dhe vizionar, theksoi:
“Mërgata është zemra dhe shpirti i kësaj ane. Ajo ka dhënë shumë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe sot duhet të jetë po aq aktive në zhvillimin e saj. Ejani dhe investoni në Klinë – Klina ju mirëpret me dashuri e respekt.”
Ai vuri në dukje se komuna ka qenë gjithmonë afër mërgimtarëve dhe do të vazhdojë të jetë, sepse ata janë pjesë e pandarë e jetës së këtij qyteti.
Bashkëpunimi për të ardhmen
Në takim mori pjesë edhe Bekim Hebibi, qytetar nga Presheva, i cili e informoi kryetarin për jetën rinore në Luginë, duke theksuar se shumica e të rinjve nga ajo trevë po shkojnë për të jetuar e vepruar në Kosovë dhe në diasporë për arsye të njohura. Ndërsa Avni Berisha e përmendi se vendlindja është mbi të gjitha dhe gjithsesi duhet përkrahur ai që ka punuar me vizion për të mirën e kësaj ane dhe sigurisht se dëshira e tij e madhe është që të shoh mërgimtarë që i kthehen atdheut për jetë. Avnia është i lidhur shumë me atdheun dhe e do që një ditë Kosova të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s.
Në fund, PhD Dashnim Hebibi përcolli përshëndetjet e kryesisë së Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” nga Zvicra, ndërsa kryetari Elezaj u zotua se dera e komunës do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm, sidomos për projektin e muzeut të mërgatës dhe për nismat që lidhin rininë mërgimtare me Klinën.
Sot, në krye të Komunës së Klinës qëndron prof. dr. Zenun Elezaj, i cili prej zgjedhjeve të vitit 2017 udhëheq me profesionalizëm dhe vizion për një Klinë më të zhvilluar, më të hapur dhe më të lidhur me mërgatën e saj.
Klina, me traditën e saj të mikpritjes, me rrugët që po ndërtohen dhe me njerëzit që e duan këtë vend, po bëhet gjithnjë e më shumë një urë që lidh Kosovën me bijtë e saj në mërgim – zemrën dhe shpirtin e kombit shqiptar. Ndërsa Avniu në fund të takimit tha: „ Lugina e Preshevës është aterie e kombit, mos mendoni se ju harrojmë, jeni vëllezër, do të bëhet mirë“. ( Foto nga Bekim HEBIBI)