Ambera Saliji, shqiptarja nga Maqedonia e Veriut e dënuar me pesë vjet e tre muaj burg për bashkëpunim në vrasjen e 17-vjeçarit Ismaele Lulli, është arrestuar nga karabinierët italianë. Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në korrik të vitit 2015 në Sant’Angelo in Vado, në provincën e Pesaro Urbinos.
Sipas hetimeve, Saliji kishte luajtur një rol kyç në ngritjen e kurthit për viktimën, duke e joshur atë drejt një takimi që do të përfundonte në tragjedi. Ajo nuk mori pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e Lullit, por gjykata e shpalli fajtore për bashkëpunim në krim.
Në kohën e vrasjes, Ambera ishte në një lidhje me njërin nga autorët, Igli Meta, ndërsa dyshohet se kishte pasur marrëdhënie edhe me vetë viktimën, një detaj që besohet se ndezi xhelozinë dhe urrejtjen e Metës.
Sipas akuzës, Meta e bindi Amberën ta takonte Lullin me pretekstin e një sqarimi, duke e futur në grackën ku ai dhe bashkëpunëtori i tij, Marjo Mema, e rrëmbyen dhe e torturuan deri në vdekje.
Meta dhe Mema u dënuan me burgim të përjetshëm dhe po vuajnë dënimet përkatësisht në Bolonjë dhe Ferrara. Ndërkohë, ndaj Ambera Saliji-t u lëshua një urdhër arresti nga Prokuroria e Urbinos, i cili u ekzekutua së fundmi, pasi ajo po përgatitej të largohej drejt Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet italiane njoftuan se arrestimi u krye për të parandaluar arratisjen e saj dhe për të siguruar ekzekutimin e plotë të vendimit gjyqësor.