Nuk paguante qiranë e makinës luksoze/ Denoncohet shqiptari në Trieste, rikuperohet Maserati

Diaspora

Nuk paguante qiranë e makinës luksoze/ Denoncohet shqiptari në Trieste, rikuperohet Maserati

Më: 12 nëntor 2025 Në ora: 20:26
Foto ilustrim

Një shqiptar 38-vjeçar, banues në Trieste, është denoncuar nga Policia e Shtetit italian për veprën penale të përvetësimit të padrejtë, pasi nuk kishte paguar kontratën e leasing-ut për një Maserati Ghibli GT me vlerë mbi 90 mijë euro.

Operacioni u zhvillua nga agjentët e Komisariatit Polo-San Sabba, të cilët pas një hetimi disa-javor arritën të lokalizonin makinën luksoze të fshehur në një rrugë të mbyllur të qytetit.

Sipas raportit të policisë, hetimi filloi pas një denoncimi të bërë nga kompania pronare e automjetit, pasi 38-vjeçari nuk kishte respektuar detyrimet kontraktuale dhe kishte krijuar një borxh prej rreth 50 mijë euro.

Pavarësisht njoftimeve dhe kërkesave të përsëritura për kthimin e mjetit, ai refuzoi ta dorëzonte, duke e mbajtur pa asnjë të drejtë ligjore.

Duke marrë parasysh rrezikun që automjeti, duke qenë në zonën kufitare të Triestes, të mund të transportohej jashtë Italisë, Prokuroria e Triestes lëshoi më 9 tetor 2025 një urdhër sekuestrimi dhe rikthimi të menjëhershëm të automjetit, bashkë me çelësat dhe dokumentet e qarkullimit.

Pas kërkimeve të vazhdueshme, më 17 tetor, agjentët lokalizuan Maseratin, e cila ishte parkur në një zonë të izoluar dhe e fshehur pas automjeteve të tjera.

Gjatë ndërhyrjes, policia gjeti edhe çelësat e makinës, dokumentet dhe disa aksesorë me logon e Maserati-t.

Automjeti u ç’sekuestrua dhe iu kthye përfaqësuesit të kompanisë pronare, me urdhër të Prokurorit të çështjes.

Ndërkohë, 38-vjeçari është denoncuar për përvetësim të padrejtë, ndërsa procedura gjyqësore ndodhet ende në fazën paraprake.

Policia italiane theksoi se përgjegjësia ligjore e personit të hetuar do të vlerësohet nga gjykata, në respekt të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave të tij ligjore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat