16-vjeçarja Arbana Nikqi nga Laholmi ka fituar bursën prestigjioze të inovacionit nga organizata suedeze Unga Innovatörer.
Ajo u shpërblye për idenë e saj “Catch It” – një sistem inteligjent që forcon bashkëpunimin midis qenit dhe trajnerit përmes teknologjisë haptike dhe inteligjencës artificiale.
Bursa prej 25 000 kronash do ta ndihmojë Arbanën të zhvillojë prototipin e parë të produktit gjatë vitit të ardhshëm.
Që e vogël, Arbana i ka dashur shumë qentë – një pasion që është rritur me kalimin e viteve. Së fundmi ajo ka qenë kujdestare për qentë e fqinjëve, dhe kur në gusht u organizua në Laholm kampionati suedez në bruks dhe mondioring (një sport i ri për qentë që përfshin bindje, kërcim dhe mbrojtje), Arbana ishte atje, shkruajnë mediat suedeze transmeton "Bota sot".
Ajo studioi pajisjet e qenve dhe mori ide për shtrënguesen (selen) që është pjesë e projektit të saj “Catch It”.
“Mendova që ta bëj selen (shtrënguesen) më të shkurtër se ajo që kisha vizatuar. Kështu qeni do të mund të vrapojë më lirshëm, sepse nuk do të ngurtësohet aq shumë në shpinë. Do të mund të zgjatet më mirë,” thotë Arbana.
Çfarë do të zhvillojë gjatë vitit të bursës?
Bëhet fjalë për një produkt të ri, ku një sele (shtrënguese) drejton qenin me telekomandë, ndërsa një analizë aromash e ndihmuar nga inteligjenca artificiale (AI) lehtëson bashkëpunimin midis qenit dhe drejtuesit gjatë kërkimeve dhe sinjalizimit të aromave.
Sela do të pajiset me haptikë (sinjale dridhjeje) në pjesën e gjoksit dhe poshtë brinjëve, për t’i mundësuar drejtuesit të kontrollojë qenin në distancë gjatë kërkimit. Pikërisht këtë teknologji haptike Arbana do ta zhvillojë gjatë vitit – për momentin ajo nuk mund të zbulojë më shumë.
AI do të ndihmojë në analizimin e gjurmëve aromatike që ndjek qeni. Aroma që qeni zbulon – për shembull, duhan – do të kapet nga sensorët e seles dhe të dhënat do të dërgohen në një aplikacion të drejtuesit. Kjo është pjesa e parë e punës që Arbana do të nisë.
“Drejtuesi do të marrë informacion se çfarë ka zbuluar qeni. Mund të jetë duhan, por edhe diçka tjetër. Për më tepër, shtrëngueset që përdor Policia nuk kanë shumë pajisje. Në Ukrainë qentë kanë pajisje më të mira,” thotë Arbana, duke iu referuar faqeve ukrainase që ka parë.
Gjatë vitit të bursës, Arbana synon të krijojë një prototip të seles dhe aplikacionit, të cilin do ta testojë me qentë. Një mike e saj ka një Border Collie njëvjeçar, të quajtur Atlas, që mund të jetë qeni i parë që do të provojë Catch It. Ajo planifikon ta testojë edhe me qentë që stërviten në klubin e qenve në Laholm.
Kush do ta përdorë Catch It?
“Kryesisht qentë policorë që kanë shumë detyra kërkimi,” përgjigjet menjëherë Arbana, “por teknologjia haptike mund të përdoret edhe për të drejtuar qentë e gjahut. Në këtë mënyrë, gjuetari nuk ka nevojë për kontakt me sy me qenin, dhe kur qeni gjurmon, mund të sinjalizojë pa lehur – që të mos trembë kafshën.”