Mark Palnikaj është gjurmues i pasionuar i bibliotekave e arkivave perëndimore, historian e zbulues i shkrimeve e shkollave të hershme, është njohës i luftërave dhe i letërkëmbimeve të Skënderbeut, i kishave e i manastireve të moçme dhe dokumentues i vendbanimeve të lashta ilire-shqiptare. Jetën aktive studimore po e kalon duke lexuar dokumente të hershme, duke transkriptuar e duke transliteruar akte, epistolarë të vjetër, duke zbardhur relacione sekrete e duke deshifruar dokumente mbi Shqipërinë e Kosovën. Palnikaj ka evidentuar eksodin e parë të shqiptarëve në Itali në vitin 1396, pas shfaqjeve sporadike të otomanëve në Arbëri dhe ka renditur në mënyrë kronologjike 400 kryengritjet e fuqishme shqiptare kundër kësaj perandorie. Ndonëse ka doktoruar për makineri, ai është bërë i njohur në opinionin e gjerë shqiptar me publikime e botime historike. Ka botuar vepra në lëmin e inxhinierisë mekanike dhe shumë studime, libra e monografi në lëmin e historiografisë.
Në studion e AlbSe-së
Studiuesin Mark Palnikaj e kam përcjellë me interesim sa herë është shfaqur në studiot e programeve tona televizive. Një ditë, pas disa kontakteve informative, arrita ta kem mysafir në programin tim “Kultura në AlbSe” që në atë kohë transmetonte nga studio qendrore Suedia. Fotoja që shoqëron këtë shkrim për Palnikajn sjellë imazhin e atij transmetimi.
Duke rastisur vetë mërgimtar e duke pasur parasysh kontributin e shqiptarëve jashtë atdheut, mezi prisja ta pyesja dhe ta dëgjoja opinionin e tij për rolin e mërgatës sonë dikur e sot, në proceset zhvillimore gjithë shqiptare. Dhe jo vetëm për këtë...
Refleksione nga intervista
Çka ruhet në arkivat e bibliotekat italiane për shqiptarët, zoti Palnika?- e pyes. Dhe vazhdon: Atje ruhet e kaluara jonë historike, e shkruar dhe e botuar nëpër shekuj. Në Vatikan ka 817 kilometra dosje të ruajtura në pesë arkiva me gjithsejtë 16,000 dosje e 32 milionë faqe. Në të gjitha arkivat e Vatikanit (Arkivi Sekret i Vatikanit, Arkivi i Propagandës Fide, Arkivi Jezuit, Biblioteka Apostolike (më e njohura në gjithë botën) dhe Radio Vatikanin) ka dokumente për shqiptarët. Duke hulumtuar nëpër këto arkiva gjënë gjurmët e shkrimit shqip dhe fillesat e shkollave të para në gjuhën shqipe në trojet shqiptare. Më 1584 hapet shkolla e parë në Letnicë të Stubllës pastaj më 1632 në Kurbin, më 1675 në Erioll (e hap Bogdani me mësues Marin Gjinin), në Varazhdin të Kroacisë, e hap dom Pal Zogaj për fëmijët shqiptarë të Kelmendit të shpërngulur atje prej dhunës otomane. Shkollat e para në Shqipëri hapen nga Benedigtinët të cilët edhe kudo nëpër Europë (Itali, Gjermani, Zvicër, Angli etj) hapen shkolla në gjuhët e vendeve përkatëse. Për secilën shkollë shqipe të çelur në Shqipëri ka dokumentacion në Vatikan. Françeskanët predikimin fetar e bënin në shqipe, në vitin 1636 në fshatin Geghysen (në kishën e Shëngjergjit në Gash) hasim dy françeskanët e parë, njërin klerik e tjetrin mjek. Françeskanët ishin njerëz të sakrificës, spartanë që sakrifikoheshin për komunitetin, sakrifikonin rehatinë e jetës së tyre për besimtarët e vet.
Kolegjin Saverian të Shkodrës e hapen Jezuitët shqiptarë me mbështetjen financiare të Hapsburgëve që ishin dashamirës të shqiptarëve. Një student shqiptar që merrte diplomë në Kolegjin Saverian të Shkodrës mund të regjistrohej në cilin do universitet europiane pa asnjë pengesë. Ky kolegj ishte fidanishte e intelektualizmit shqiptar. Aty studionin të gjithë, katolikë e myslimanë, pa dallim. Në Saverianin e Shkodrës u shkollua Faik Konica dhe studiuesit tjerë shqiptarë me famë.
Në Itali kemi pasur Kolegjet tona ku mësonim gjuhën e historinë tonë. Kolegji Ilirik i Loretos (qëndroi 375 vjet hapur me ndonjë ndërpreje të përkohshme) ka dhënë 124 studentë shqiptarë. Kolegji përpiqej të ndalonte islamizimin e popullsisë autoktone. Kolegji Ilirik i Fermos dhe i Vatikanit kishin gjithashtu shumë studentë shqiptarë. Prej tyre dolën 212 autoritete shqiptare, shumica prej tyre nga Kosova. Vetëm nga Hasi, nga familjet e fuqishme Bogdani e Mazreku dolën 12 intelektualë atdhetarë.
Palnikaj ka studiuar edhe letërkëmbimin e Skënderbeut me sulltanët dhe ka zbuluar një dokument të vitit 1652 në bibliotekën “Romolo Spezzioli” në Fermo, i cili hedh dritë mbi ngjarjet historike të Shqipërisë mes viteve 1634 – 1652. Ka sjellë në kujtesën e sotme edhe shumë letra të rëndësishme, si ajo e Krerëve të Gashit të vitit 1689 drejtuar Vatikanit, në variantin origjinal dhe të sotëm të shqipes. Ka shpjeguar për përkthimin të Biblës në latinisht nga një ilir, pastaj për përkthimin mijëra vjet më vonë në shqip, veçse dyqind vjet para se të përkthehej në italisht. Ka botuar mbi 50 punime dhe qindra artikuj që shpjegojnë dokumente të vjetra. Të gjitha dokumentet e gjetura në latinisht e italisht i ka bërë të lexueshme për publikun e sotëm. Ka dokumentuar edhe aplikimin e shqipes në shkrimet tona para Kongresit të Manastirit. Palnikaj është bërë i njohur edhe për komentet e interpretimet e tij për zhvillimet historike shqiptare në shekuj. Ai thekson rëndësinë dokumenteve të gjetura për identitetin tonë kombëtar e kulturor. Përgjithësisht, kontributi i këtij studiuesi qëndron në hulumtimet arkivore, botimet historike dhe promovimin e shqipes e kulturës shqiptare në relacione kombëtare e ndërkombëtare. Janë të rëndësishme edhe pikëpamjet e tij personale, siç janë novatore dhe interpretimet e tij historike për ngjarje e personalitete të shquara kombëtare që formatuan periudhat zhvillimore të historisë sonë. Për shumë nga këto personalitete apo ngjarje, nuk kemi ditur ose nuk kemi dashur të dimë.
Për punët e rëndësishme që kryen është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Fermos në Itali dhe nga Papa Francesku me motivacionin për promovimin e identitetit dhe historisë shqiptare.
Botimet me karakter historiografik të Mark Palnikajt
Palnikaj modest, preferon ta thërrasim vetëm studiues, deri me tash ka botuar këto studime e libra me karakter historik: “Beqir Ndou për luftën Nacional Çlirimtare në Malësinë e Gjakovës dhe në Kosovë”, Tirane 2011; “Konferenca e Bujanit”, Tiranë 2006; “Tungj Miftari, Bajraktari i Mërturit”, Tiranë 2014; “A mund ti përmirësojmë traditat”, Tiranë 2015; ”PULTI”, Tiranë 2005; “SKËNDERBEU-letërkëmbimi me sulltanët”; “ Klerikë atdhetarë”; “RELACIONE për gjendjen e Shqipërisë në shek. XVII – XVIII” (relacioni i Shtjefën Gasprit dhe relacione të tjera).
Ka botuar edhe këta artikuj me temë historike: Burime historike që gjenerojnë prej vitesh gabime, Nacional nr. 317; Kisha e Himarës ka qenë shqiptare, shekuj para se grekët të krijonin shtetin e tyre, Nacional nr. 316; Shkollat dhe shkrimi shqip në Dioqezën e pultit në mesjetë, Nacional nr. 309; Mbi dokumentin e Stefano Gasparit të vitit 1671, Nacional nr. 313; Alberto Crachi, ju tregoi si jetonin malësorët e Dioqezës së Pultit deri në Tropojë, Nacional nr. 298; Mbi mundësinë e një historiku për Nikaj Mërturin, prejardhja e fiseve Nikaj-Mertur, Gazeta Nikaj Merturi nr. 12; Mbi zhvillimin teknik të Nikaj Mërturit, gazeta Nikaj Mërtur, nr. 12; Gjendja e Kelmendit në shekullin e XVII, bazuar në relacionin e Frang Bardhit, në librin Kelmendi në Shekuj; Fadil Hoxha dhe Beqir Ndou për Konferencën e Bujanit, botuar në librin “Fadil Hoxha, një jetë në shërbim të atdheut; Hajdar Dushi – legjendë e qëndresës për çlirimin dhe bashkimin e kombit, botuar në librin “Hajdar (Beg) Dushi, jeta dhe veprimtaria patriotike e heroit të popullit”
Vend kërkimet e studiuesit Mark Palnikaj
Palnikaj ka bërë kërkime dokumentesh dorëshkrimesh në Arkivin e Shtetit në Venecia (Archivio di Stato di Venezia), në Arkivin e librave dhe dokumenteve antike në Padova (Biblioteca Antica del Seminario Vescovile di Padova), në Arkivin ASSC (Arkivi Historik dhe Biblioteka Shtëpia e Shenjtë) në Loreto, në Bibliotekën Komunale (Biblioteca Civica “Romolo Spezioli “) në qytetin e Fermos, në APF (Archivio Storico di Propaganda Fide) në Romë, në ARSI (Archivum Romanum Societatis Iesu) në Vatikan, ASV (Archivio Segreto Vaticano), në Bibliotekën Apostolike (Biblioteca Apostolica Vaticana), në Arkivi e Manastirit të Grotaferratës (Archivio monastico dell'Abbazia territoriale di Santa Maria di Grottaferrata), në Arkivin e Shtetit në qytetin e Napolit (Archivio di Stato di Napoli) dhe në BNL, arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Napoli (Biblioteca Nazionale di Napoli ).
Ka kryer kërkime edhe në AQSH (Arkivi Qendror të Shtetit Shqiptar), në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe në disa arkiva kishtare dioqezane.
Studiuesi Palnikaj hyn e del nga këto arkiva pa asnjë problem. Mirëpo hyrje-daljet studimore nëpër këto arkiva kushtojnë. Palnikaj është nga të paktet studiues të sotëm që shpenzon lekët e vet për të mirën e historisë, gjuhës e kulturës kombëtare. Së fundmi, ishte një nip i tij inxhinier në Itali që pagoi shpenzimet për nxjerrjen e katërmijë faqeve dokumente për çështjen e Kosovës. Palnikaj e materializon me vetëdije aforizmin shqiptar “shit kalin e mëso djalin”, në mënyrë që djemtë e vajzat tona ta njohin sa më mirë të kaluarën, me bindjen se do ta përforcojnë edhe më shumë të ardhmen. latinishtja dhe italishtja (të folura e të shkruara lirshëm nga Palnikaj) janë gjuhë të punës së tij, ndërkohë që lexon e kupton edhe anglisht, frëngjisht e rusisht.