Gjithçka për 5 mln euro pasuri, shqiptarja hedh në gjyq prezantuesin dhe gazetaren italiane

Diaspora

Gjithçka për 5 mln euro pasuri, shqiptarja hedh në gjyq prezantuesin dhe gazetaren italiane

Më: 27 dhjetor 2025 Në ora: 20:56
Baronesha Maria Malfatti

Prezantuesi i emisionit ‘La Vita in Diretta’, Alberto Matano, 53 vjeç dhe gazetarja e terrenit Barbara Di Palma, 46 vjeç, janë paditur për shpifje nga një shqiptare.

Gruaja 45-vjeçare ishte fillimisht nën hetim dhe më pas u dënua në nëntor të vitit të kaluar me dy vjet burg për shfrytëzim të paaftësisë mendore.

Shqiptarja dyshohet se ka nxitur baroneshën Maria Malfatti, e cila vdiq më 31 tetor 2023 në moshën 87-vjeçare në Rovereto, duke përfituar nga rënia e saj konjitive, ta emëronte trashëgimtare universale dhe t’i linte të gjitha pasuritë me vlerë rreth pesë milionë euro.

Kjo është edhe teza e mbështetur nga nëntë nipërit që u paraqitën si palë civile në proces.

Rasti i A.S. ishte trajtuar në emisionin ‘La Vita in Diretta’, transmetuar më 16 prill, kur seanca paraprake ishte ende në zhvillim.

Ajo që ka zemëruar tregtaren aktuale në sektorin e restoranteve është cilësimi “djallëzore”, me të cilin ajo u cilësua si nga prezantuesi, ashtu edhe nga kolegia e tij gjatë reportazhit.

Në padinë e saj, ajo ka kundërshtuar edhe hipotezën e hedhur nga dy gazetarët se ajo mund të ishte pjesë e një organizate mashtruese.

Padia për shpifje ndaj dy gazetarëve pësoi një goditje më 25 qershor, kur zëvendës-prokurorja e Prokurorisë së Roveretos, Viviana Del Tedesco, depozitoi kërkesën për arkivim pranë gjyqtarit për hetimet paraprake.

Megjithatë, 45-vjeçarja nuk u dorëzua dhe, së bashku me avokatin e saj Nicola Canestrini, paraqiti kundërshtim ndaj kërkesës së Prokurorisë. Tani dosja ndodhet në duart e gjyqtarit të seancës paraprake, i cili në ditët në vijim pritet të caktojë një seancë për të shqyrtuar çështjen dhe më pas të vendosë mbi kërkesën e mbrojtjes.

Matano dhe Di Palma, të mbrojtur nga avokati veronez Luca Tirapelle, deklarojnë se bëhet fjalë për “një rikonstruksion thjesht gazetaresk, pa qëllim denigrues apo fyes ndaj personit të dëmtuar”.

Në reportazh, për më tepër, janë cituar edhe deklarata të mikeshave të të moshuarës, të cilat e përshkruajnë sjelljen e kujdestares si “të dashur”, për të ofruar një pasqyrë të balancuar të ngjarjes.

Sa i përket cilësimit “djallëzore”, “edhe pse ngjall një kuptim negativ” thuhet në memon e avokatit Tirapelle, i referohet sjelljeve dinake dhe mashtruese, të cilat janë plotësisht në përputhje me veprimet e denoncueses.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat