Debati i fundit për rolin e diasporës në zgjedhjet në Kosovë ka zbuluar një të vërtetë të pakëndshme: problemi nuk është se diaspora “nuk di”, por se shumica e saj nuk pranon faktin që, edhe pas dekadash pavarësie, Kosova ende nuk e ka marrë drejtimin e duhur të zhvillimit. Këtij zhgënjimi i bashkohen jo vetëm mërgimtarët, por edhe shumë qytetarë brenda vendit.
Rezultatet e fundit zgjedhore mund të interpretohen si shprehje e mllefit të akumuluar të një pjese të konsiderueshme të diasporës, e lodhur nga premtimet e pambajtura dhe performanca e dobët e klasës politike. Në këtë kuptim, vlerësimi i diasporës shpesh përputhet me atë të shumë qytetarëve në Kosovë, pavarësisht përpjekjeve të disa kritikëve për ta paraqitur atë si faktor “të jashtëm” e “të padijshëm”.
Një pjesë e madhe e diasporës e ka parë të arsyeshme të votojë për ofertën politike të Albin Kurtit, duke ushtruar lirshëm të drejtën e vet demokratike. Ky orientim nuk është produkt i pazareve të fshehta, por shprehje e qartë e dënimit të status quo-së dhe kërkesës për ndryshim.
Dy realitete, jo dy nivele qytetarësh
Të akuzosh diasporën se “nuk di çfarë bën” është të injorosh faktin se ajo, për vite me radhë, ka ndjekur zhvillimet politike dhe është pozicionuar mbi bazën e një gjykimi të vetëdijshëm, jo të një impulsi emocional. Po, qytetari që jeton në Kosovë i përjeton përditë pasojat e vendimeve politike, gjendjen e tregut të punës, shërbimet publike dhe funksionimin e institucioneve. Në këtë aspekt, ai ka një përvojë të drejtpërdrejtë që nuk mund të mohohet.
Por edhe qytetari i diasporës, sidomos ajo pjesë e diasporës që interesohet për proceset politike dhe merr pjesë në zgjedhje, tregon një përkushtim të veçantë ndaj vendit të tij. Ai ndjek politikën kosovare, por njëkohësisht jeton në shtete ku funksionon shteti ligjor, ku institucionet përgjigjen dhe ku klientelizmi nuk tolerohet lehtë. Pikërisht këto përvoja e bëjnë shpesh më kërkues, më kritik dhe më pak tolerant ndaj devijimeve nga standardet demokratike në Kosovë.
Këto dy profile – qytetari në vend dhe ai në diasporë – prodhojnë këndvështrime të ndryshme, por jo të kundërta. Dallimi në vlerësim politik nuk është as “padituri”, as “mospërvojë”, por pasojë e dy realiteteve të ndryshme jetësore, që meritojnë respekt të barabartë.
Ajo që është normale në Zvicër, problem në Kosovë
Në vendet ku jeton pjesa më e madhe e diasporës sonë, si Zvicra, marrja e një statusi të qëndrueshëm shpesh sjell edhe të drejtën e votës pas disa viteve integrimi. Votuesit me origjinë të huaj nuk votojnë domosdoshmërisht si mesatarja e elektoratit vendas – dhe kjo nuk shihet as si kërcënim, as si devijim, por si pjesë normale e pluralizmit politik.
Edhe diaspora zvicerane, e shpërndarë në mbarë botën, merr pjesë rregullisht në zgjedhjet federale dhe shpesh shpreh preferenca të ndryshme nga votuesit rezidentë, pa u vënë ndonjëherë në dyshim legjitimiteti i votës së saj.
Në këtë këndvështrim, fakti që diaspora kosovare voton ndryshe nga një pjesë e elektoratit të brendshëm nuk është skandal, por manifestim i një perspektive tjetër politike, të ligjshme dhe të formuar nga përvoja të ndryshme.
Në Kosovë, për fat të keq, në vend se ky pluralizëm perspektivash të pranohet si vlerë, diaspora shpesh përballet me komente denigruese, akuza dhe përpjekje për ta delegjitimuar votën e saj. Kjo qasje nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme për vetë demokracinë.
“Humbës të këqij” dhe kërkimi i fajtorëve
E drejta e votës u është dhënë qytetarëve brenda dhe jashtë Kosovës; të gjithë janë pjesë e të njëjtit trup sovran, sipas parimeve kushtetuese të vendit. Në zgjedhjet e fundit, shumica e popullsisë brenda Kosovës ka votuar po për të njëjtën lëvizje politike që ka mbështetur edhe diaspora, duke treguar se dënimi i status quo-së nuk ka qenë “import” nga jashtë, por vullnet i gjerë shoqëror.
Megjithatë, një pjesë e humbësve zgjedhorë kanë preferuar të shpikin “fajtorë” – dhe diaspora është shndërruar në shënjestër të lehtë. Kjo sjellje i ngjan profilit të atij që nuk pranon të reflektojë mbi dështimet e veta, por kërkon shfajësim tek të tjerët: një “humbës i keq” politik.
Nuk ka votë të mirë e votë të keqe
Kosova i njeh diasporës të drejtën e votës së lirë në bazë të parimeve të saj kushtetuese dhe demokratike. Pikërisht për këtë arsye, është absurd dhe politikisht i papranueshëm vënia në pikëpyetje e mënyrës së votimit ose e preferencave politike të qytetarëve të saj, qofshin ata në Prishtinë apo në Zyrih, në Gjilan apo në Gjenevë.
Nuk ekziston “votë e mirë” dhe “votë e keqe”; ekziston vetëm vota e lirë. Çdo tentativë për ta delegjitimuar votën e diasporës është sulm frontal ndaj vetë themeleve të demokracisë. Nëse Kosova dëshiron të jetë vërtet demokraci funksionale, duhet të mësojë të respektojë pa dallim votën e kujtdo – brenda apo jashtë kufijve të saj.