Një 18-vjeçar është dënuar me burg pasi mbërriti në Aeroportin e Dublinit pa asnjë dokument identifikimi.
I arrestuari është Amarildo Coku, i cili nuk ka adresë të deklaruar dhe asnjë lidhje me Irlandën, u ndalua menjëherë pas uljes së avionit në kuadër të “Operacionit Failte”, një nismë që synon identifikimin dhe parandalimin e hyrjeve të paligjshme në vend.
I riu ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit. Gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Qarkut Cloverhill, ai u shpall fajtor për shkeljen e neneve 11 dhe 12 të Ligjit irlandez për Emigracionin.
Gjyqtari Alan Mitchell u shpreh se “ai nuk mund të kishte hipur në avion pa pasaportë, por kur mbërriti nuk kishte asnjë dokument me vete,” duke theksuar se rastet e tilla trajtohen me seriozitet dhe parashikojnë deri në një vit burg.