Dy shqiptarë kanë përfunduar në burg në Angli, pasi policia ka zbuluar një fermë të madhe kanabisi brenda ambienteve të një ish-qendre tregtare në Slough.
Policia ndërhyri në godinën dykatëshe më 28 janar 2026, pas dyshimeve se ndërtesa, e cila kishte mbetur bosh prej vitesh, po përdorej për kultivimin e kanabisit.
Brenda ambienteve, efektivët gjetën dhe arrestuan Ajet Begun, 40 vjeç, nga Palmers Green në Londër, dhe Aryan Turya, 27 vjeç, pa vendbanim të përhershëm.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi më shumë se 1,700 bimë kanabisi në faza të ndryshme të rritjes. Sipas përllogaritjeve të autoriteteve, bimët mund të prodhonin rreth 150 kilogramë kanabis.
Vlera e drogës që mund të dilte nga prodhimi është përllogaritur në 1,288,020 paund në tregun me pakicë, ndërsa në tregun e shumicës arrinte rreth 525 mijë paund.
Begun dhe Turya pranuan fajësinë për prodhimin e një droge të kontrolluar të Kategorisë B. Gjykata e Kurorës në Reading i dënoi më 21 gusht 2026 me nga një vit e dy muaj burg.
Ferma ishte ngritur në një godinë që më parë përdorej nga rrjeti britanik BHS. Ambientet kishin mbetur bosh që prej vitit 2016, kur kompania mbylli dyqanet e saj.
Sipas “ESN Report”, hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ferma e kanabisit kishte lidhje me rrjete të tjera të krimit të organizuar.