Enid Kasmi, me shtetësi shqiptare dhe kolumbiane, rezulton se është arrestuar në Venezuelë më 19 maj të vitit 2025, por disa muaj më vonë autoritetet gjyqësore të vendit deklaruan se nuk mund të përcaktonin vendndodhjen e tij. Ndërkohë, Belgjika kërkonte ekstradimin e tij për një çështje të lidhur me trafik droge dhe organizatë kriminale.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta kolumbiane “El Tiempo”, Kasmi rezulton gjithashtu i pandehur në Venezuelë në një hetim për vepra që lidhen me “komplotin”, “terrorizmin, financimin e terrorizmit dhe organizimin kriminal”.
Dosja tregon se Belgjika e kërkonte për të vuajtur një dënim prej 12 vitesh burg dhe një gjobë prej 560 mijë eurosh për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.
Kërkesa për ekstradimin e tij mbërriti në Gjykatën e Lartë të Venezuelës më 23 korrik të vitit 2025. Ndërsa autoritetet belge dërguan një urdhër ndërkombëtar arresti dhe vendimin e një gjykate të Brukselit të datës 29 tetor 2024.
Çështja lidhet me një hetim ndërkombëtar mbi komunikimet në platformën e koduar EncroChat. Sipas autoriteteve europiane, bëhej fjalë për një organizatë të dyshuar për importimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Belgjikës dhe shpërndarjen e saj më pas në vende të tjera europiane.
Pasuritë e organizatës vlerësoheshin në më shumë se 200 milionë euro.
Hetuesit pretendojnë se Kasmi ishte pjesë e strukturës nga shkurti i vitit 2020 deri në tetor të vitit 2021. Sipas dokumentacionit, një llogari komunikimi e koduar që i atribuohej atij tregonte se Kasmi dyshohej se “organizonte importimin e kokainës nga Amerika Latine”, përfshirë përmes dërgesave ajrore, dhe mbante kontakte me furnizues në Amerikën e Jugut.
Ndërkohë, në Venezuelë, Prokuroria Publike informoi se Kasmi ishte arrestuar nga DGCIM më 19 maj 2025 dhe ishte paraqitur përpara një gjykate të posaçme që trajton çështjet e lidhura me terrorizmin.
Por pikërisht këtu nis misteri.
Pavarësisht se arrestimi i tij ishte regjistruar nga autoritetet venezuelase, disa muaj më vonë Gjykata e Lartë nuk mundi të përcaktonte se ku ndodhej Kasmi.
Dhoma Penale kërkoi informacion nga sistemi gjyqësor i Karakasit për statusin e çështjes, por deri në momentin e marrjes së vendimit nuk kishte marrë përgjigje. “Deri në këtë datë nuk është marrë asnjë informacion lidhur me këtë kërkesë”, thuhet në dokument.
Mungesa e informacionit për vendndodhjen e shqiptarit bllokoi edhe ekstradimin drejt Belgjikës. Gjykata vlerësoi se procedura nuk mund të vazhdonte pa lokalizimin e Kasmit dhe urdhëroi Prokurorinë të kryente veprimet e nevojshme për “kërkimin dhe lokalizimin” e tij.
Më 20 mars të vitit 2026, Gjykata e Lartë vendosi të arkivonte përkohësisht dosjen e ekstradimit, duke lënë të hapur mundësinë që procedura të rifillojë nëse Kasmi lokalizohet zyrtarisht.
Kështu, dosja lë një kontradiktë të pazgjidhur: autoritetet venezuelase regjistruan se Kasmi ishte arrestuar më 19 maj të vitit 2025, ndërsa më vonë Gjykata e Lartë deklaroi se nuk kishte informacion të saktë për vendndodhjen e tij.