“Më ngacmonte të dashurën”/ Qëlloi me armë ndaj bashkatdhetarit, shqiptari dënohet me mbi 11 vite burg në Itali

Diaspora

“Më ngacmonte të dashurën”/ Qëlloi me armë ndaj bashkatdhetarit, shqiptari dënohet me mbi 11 vite burg në Itali

Më: 7 tetor 2026 Në ora: 19:31
Fotoilustrim

Një 32-vjeçar shqiptar është dënuar me 11 vite e 6 muaj burg në Itali për tentativën e vrasjes së një bashkatdhetari 28-vjeçar, pas një konflikti që, sipas akuzës, kishte në qendër xhelozinë.

I dënuari është Altin Jakini, sipërmarrës në sektorin e ndërtimit. Ngjarja ka ndodhur në tetor të vitit 2023 në Manta, në provincën e Cuneos.

Sipas dinamikës së rindërtuar gjatë procesit gjyqësor, Jakini qëlloi me pistoletë në drejtim të një furgoni, duke e ditur se brenda automjetit ndodhej 28-vjeçari.

Pas të shtënave, furgoni doli nga rruga, ndërsa drejtuesi i tij u gjet në gjendje të rëndë nga ekipet e shpëtimit. Për shkak të rrethanave në të cilat u gjet automjeti, ngjarja fillimisht u konsiderua një aksident i rëndë rrugor.

Hetimet morën një tjetër drejtim pas dëshmisë së të plagosurit. Përpara se t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në Cuneo, 28-vjeçari i tregoi policisë identitetin e personit që, sipas tij, kishte qëlluar ndaj tij.

Sipas akuzës, motivi i sulmit lidhej me xhelozinë. Jakini dyshonte se 28-vjeçari ishte rival i tij në raport me të dashurën. I riu ishte përpjekur ta bindte se nuk kishte arsye për dyshime, por tensionet mes tyre kishin vijuar edhe në ditët që i paraprinë ngjarjes.

Në të njëjtin proces u gjykua edhe Andrea Dedi, në atë kohë punonjës i Jakinit, i cili akuzohej se e kishte ndihmuar në kryerjen e sulmit. Gjykata e shpalli Dedin të pafajshëm.

Në përfundim të procesit, Altin Jakini u shpall fajtor për tentativë vrasjeje dhe u dënua me 11 vite e 6 muaj burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat