Skandali i Grenellit: “Pagesë për ndikim në Washington”, përplasjet në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërhyrjet në Ballkan

Diaspora

Skandali i Grenellit: “Pagesë për ndikim në Washington”, përplasjet në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërhyrjet në Ballkan

Beqir SINA - New York Nga Beqir SINA - New York Më 22 tetor 2026 Në ora: 18:52
Richard Grenell, Donald Trump

Pas ish-ambasadores së SHBA-së në Athinë, Kimberly Guilfoyle, dhe lidhjeve të saj me Edi Ramën, një tjetër ambasador, Richard Grenell, duket se po i largohet listës së “miqve të tij” të korruptuar në Washington, nën të njëjtën akuzë.

Hetimi ndaj ambasadorit Richard Grenell është në vazhdim dhe fokusohet te verifikimi i dokumenteve dhe i mesazheve, të paktën sipas deklaratave të zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.

Ky mendohet se është një konflikt i ashpër brenda rrethit të Trump-it, i quajtur “MAGA blood feud”. Nga Washingtoni po flitet për një pezullim deri në përfundim të hetimeve, por pezullimi formal i Grenellit, faktikisht, nuk është konfirmuar ende.

Gjithsesi, mund të them se situata mbetet e hapur dhe do të qartësohet me përfundimin e hetimeve, pas votimeve të 3 nëntorit (midterms).

Ajo që quhet skandal është një skemë e pretenduar e “pagesës për ndikim”, e cila ka shkaktuar tensione të larta brenda Shtëpisë së Bardhë, duke vendosur përballë njëri-tjetrit aleatë të afërt të presidentit Donald Trump.

Në qendër të konfliktit, pas çështjes së ish-ambasadores së SHBA-së në Athinë, Kimberly Guilfoyle, dhe akuzave për “pagesë për ndikim”, është vendosur tani Richard Grenell, ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani, ish-i dërguar i posaçëm për dialogun Beograd-Prishtinë dhe ish-drejtues i përkohshëm i Kennedy Center.

Në tetor 2026, ish-avokatja e Trump-it, Alina Habba Mildon, dhe bashkëshorti i saj, biznesmeni turk Turhan Mildon, e kanë akuzuar Grenellin se ka manipuluar një transfertë prej 17,6 milionë dollarësh. Sipas tyre, rreth 5,6 milionë dollarë ishin parashikuar si donacion për Kennedy Center, por nuk kanë mbërritur kurrë.

Axios dhe The New York Times kanë raportuar për një mesazh me tekst, të datës 3 maj 2025, në të cilin pretendohet se Grenell ka premtuar akses në evente VIP dhe takime me administratën, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Mar-a-Lago, Florida, madje edhe me presidentin, pasi paratë të mbërrinin te kompania teksase Texas Armament & Technology.

Transferta lidhet me një marrëveshje që përfshin Republikën Demokratike të Kongos. Hetimi i brendshëm ka zbuluar se transferimi ka ardhur nga një llogari bankare e lidhur me qeverinë kongoleze, jo nga llogaria personale e Mildonit, siç pretendohej fillimisht.

Grenell i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “absurde” dhe “gënjeshtra”.

Ai ka deklaruar se nuk ka kërkuar asnjë pagesë dhe nuk ka marrë asnjë cent. Ndërsa presidenti Trump ka urdhëruar këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, të hetojë dokumentet dhe pretendimet e ngritura ndaj Grenellit.

Ndërkohë që hetimi vazhdon, ky konflikt, i quajtur “Gjakësi MAGA”, zbulon tensione të thella midis aleatëve të presidentit në prag të zgjedhjeve të mesmandatit (midterms). Megjithëse Grenell ka pranuar se roli i tij si Special Presidential Envoy for Special Missions kishte përfunduar që në shkurt të vitit 2026, pra, ai nuk është më pjesë e administratës Trump.

Grenell njihet prej vitesh për lidhjet e ngushta me kryeministrin Edi Rama, sidomos për idenë e Open Balkan-it.

Ai ka mbështetur publikisht qëndrimet e qeverisë shqiptare, përfshirë kritikat e Ramës ndaj procesit gjyqësor të Hashim Thaçit në Hagë.

Ndërsa në qarqet politike shqiptare, veçanërisht nga opozita, ai është cilësuar shpesh si “lobist i padeklaruar” i Ramës në Washington.

Ndërhyrjet e tij në Kosovë janë evidente dhe po aq të forta. Ai sulmon vazhdimisht Albin Kurtin dhe mbron me forcë Hashim Thaçin, duke e quajtur burgosjen e tij “padrejtësi të rëndë”.

Por lind pyetja: “Një milion dollarë – përgjigje”: sa e besueshme është që një person me lidhje kaq të forta me Beogradin dhe Aleksandar Vuçiçin të jetë njëkohësisht edhe mik i Edi Ramës? A duhet të jetë i sinqertë me shqiptarët?

Faktet janë të pakundërshtueshme.

Në tetor 2023, Vuçiçi e dekoroi personalisht Grenellin me Urdhrin e Flamurit Serb të Klasit të Parë. Kompania e lobimit Valcour, e paguar nga qeveria serbe, ka kontaktuar Grenellin dhe ka marrë të dhëna për llogari bankare nga Serbia.

Këto lidhje e bëjnë të dyshimtë rolin e tij të dyfishtë në trekëndëshin Beograd-Prishtinë-Tiranë.

Çështja e Hashim Thaçit është ajo që sot prek nervin më të ndjeshëm të shqiptarëve. Duke pasur parasysh kujtimin e luftës së UÇK-së dhe pavarësisë së Kosovës, Grenelli, pa asnjë funksion në Shtëpinë e Bardhë, tani futet në lojë duke shfrytëzuar aksesin e tij personal te presidenti Trump dhe familja e tij.

Richard Grenell, i cili i “nuhat” mirë këto çështje, futet në lojë sa herë që hapet çështja e Thaçit në Hagë, pa e përmendur as edhe një herë, të paktën, Kadri Veselin, Rexhep Krasniqin apo Jakup Krasniqin.

Duke mbrojtur vetëm Thaçin dhe duke sulmuar Kurtin, Grenell (dhe bashkë me të edhe Rama) prek pikërisht këtë pikë emocionale te shqiptarët në Kosovë.

Grenell e di mirë se kjo gjuhë e “komunikimit” diplomatik, ashtu si ajo e Edi Ramës, krijon një solidaritet të menjëhershëm midis shqiptarëve.

Ndërsa sulmi i tij personal ndaj Kurtit u shërben interesave të Beogradit, duke dobësuar qeverinë e Prishtinës sa herë që ka “lëkundje” në Prishtinë.

Ndërkohë, për Ramën, kjo ofron një platformë për t’u shfaqur si mbrojtës i “çështjes kombëtare” dhe, natyrisht, për të mbuluar çdo gjë që po ndodh sot në Shqipëri, ku besimi ndaj tij është lëkundur ndjeshëm.

Kurse për ambasadorin Grenell mbetet e dyshimtë se çfarë do të ndodhë pas skandalit të zbuluar, ndërkohë që ai është nën hetim për çështjen e Kongos, ku pretendohet se ka premtuar akses në evente VIP dhe takime me administratën, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Mar-a-Lago, Florida. Nuk ka dyshim se hetimet mund të zgjerohen edhe në Ballkan.

Pavarësisht se hetimi në Washington vazhdon dhe detajet e reja për origjinën e transfertës nga Kongoja shtojnë kompleksitetin, debati mbi ndikimin e Grenellit në Ballkan mbetet i hapur dhe i mbushur me dyshime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat