Koeman: Messi nuk është më këtu

Futboll

Koeman: Messi nuk është më këtu

Më: 22 gusht 2021 Në ora: 11:02
Koeman: Messi nuk është më këtu

Entuziazmi i fitores në debutim ndaj Real Sociedadit, u shua shpejt për Barcelonën, që nuk shkoi dot përtej një barazimi ndaj një tjetër skuadre baske, Athletic Bilbaos në “San Mames”.

Në një ndeshje me shumë dritë-hije, trajneri Koeman pranoi se skuadra e drejtuar nga Marcelino i vuri shumë në vështirësi me presingun e madh, megjithatë theksoi se me pak kujdes mund të kishin dalë me tre pikë edhe nga kjo transfertë.

“Ishte një ndeshje e vështirë, pasi Athletic na bëri shumë presing dhe e bëri mirë këtë. Duhet të kuptojmë se kur është momenti të luajmë në zona të ngushta e kur jo, megjithatë në parim ishte një ndeshje ku bëmë disa gjëra gabim edhe as në portë nuk pashë qetësinë e duhur për të menaxhuar topin. Bilbao është një ekip mjaft i mirë, megjithatë mund të kishim dalë edhe me tre pikë, nëse do të ishim treguar më racionalë me rastet tona”, tha tekniku holandez.

Mjaftoi hapi i parë fals, që të gjithë të mendonin sërish për Lionel Messin, i cili u largua nga katalanët pak javë më parë, megjithatë Koeman është i prerë në përgjigjen e tij dhe kërkon të mos mendohet më për argjentinasin.

“Ai është nga lojtarët më të mirë në botë dhe është normale të pyesni kaq shumë. Nëse i jep një top të mirë për gol, shanset që ai të gabojë, janë thuajse zero, megjithatë tani ai nuk është më dhe duhet të gjejmë zgjidhje të tjera”, tha Koeman.

Në fund nuk mungoi një koment për lojtarë të caktuar nga ana e trajnerit holandez, që foli me superlativa për patriotët e tij Depay e De Jong, si dhe për mbrojtësin spanjoll Eric Garcia, i cili la skuadrën me një lojtar më pak në minutat shtesë të ndeshjes.

“Depay bën shumë mirë punën e tij dhe në “San Mames” shënoi një gol mjaft të bukur, por duhet të ndihmohet më shumë në repartin e avancuar. De Jong dha një pasim fantastik.

Ai ka shumë shpejtësi në lojën me top dhe lëviz mirë mes linjave, cilësi këto që i shprehu më së miri edhe sot. Sa i përket Eric Garcias, edhe ai bëri një ndeshje të madhe, pavarësisht se ishte disi i shpërqendruar nga humbja e gjyshit të tij. Jemi me të dhe i urojmë më të mirat në planin personal.

Pedri u pa disi i fikur dhe është diçka normale, pas atij sezoni shumë të ngarkuar. Duhet ta mbrojmë dhe ta lëmë të pushojë disi, pasi në të kundërt rrezikon të fiket fare në dhjetor”, u shpreh trajneri holandez.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat