Tuchel: E dominuam Manchester Utd

Futboll

Tuchel: E dominuam Manchester Utd

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 12:45
Tuchel: E dominuam Manchester Utd

Supersfida Chelsea-Manchester United nuk prodhoi fitues. Të dy skuadrat shënuan nga një gol në pjesën e dytë në takimin e djeshëm në “Stamford Bridge” dhe ndanë nga një pikë.

Rezultati 1-1 mban “Blutë e Londrës” në krye të Premier League pas javës së 13-të, por Manchester City dhe Liverpool janë afruar dhe tani numërojnë nga një dhe dy pikë më pak.

Trajneri i Chelsea, Thomas Tuchel analizoi barazimin shtëpiak, duke vlerësuar lojën e djemve të tij, teksa shpjegon pse zgjodhi të mos aktivizonte Lukakun si titullar. “Jam absolutisht i kënaqur me performancën e djemve të mi.

E dominuam Manchester United që prej minutës së parë, ishim agresivë dhe nuk hoqëm dorë për asnjë moment nga sulmet tona. Për fat të keq, e dhuruam vetë golin që pësuam, por jam i kënaqur me reagimin dhe atë që prodhoi skuadra në fushë”.

Më pas një koment në lidhje me Romelu Lukakun, i cili e nisi ndeshjen nga stoli për t’u hedhur në fushë nga trajneri gjerman tetë minuta përpara fundit. “Nëse Romelu ndodhet në formë të mirë e ka vendin në formacion, por për momentin nuk është.

Ai ka luajtur edhe më shumë sesa do të kisha dashur unë. Ishim shumë afër portës kundërshtare në minutat e fundit dhe mendova që prania e tij mund të na ndihmonte”, deklaroi trajneri i kampionëve të Europës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat