Ibrahimoviç, një tjetër tabu pas Championsit

Futboll

Ibrahimoviç, një tjetër tabu pas Championsit

Më: 30 mars 2022 Në ora: 13:59
Ibrahimoviç, një tjetër tabu pas Championsit

Zlatan Ibrahimoviç nuk do të luajë në Botërorin e tretë të karrierës së tij. Suedia, në fakt, pasi arriti në “play-off” mundi Republikën Çeke 1-0 në gjysmëfinale, përpara se të dorëzohej 2-0 kundër Polonisë në aktin final që i dha Lewandowskit dhe shokëve të tij kualifikimin në Botërorin e Katarit.

Për sulmuesin e Milanit, mundësia për të thyer një tjetër tabu në karrierën e tij të gjatë dhe shumë të dekoruar zbehet. Ibra, përveçse nuk e ka ngritur kurrë trofeun e Champions League, nuk ka shënuar asnjë gol në finalet e Kupës së Botës, shkruan Telesporti.

Një statistikë që tingëllon thuajse paradoksale për dikë që në karrierën e tij ka shënuar rreth 571 gola në ndeshjet zyrtare mes klubit dhe kombëtares. Në vend të kësaj, nga 62 “rrjetat” me fanellën verdhblu, asnjëra prej tyre nuk figuron në fazën kyçe të Kampionatit Botëror.

Ish-sulmuesi i Ajax-it, Juve-s, Inter-it, PSG-së dhe Manchester United, Milanit, i cili do të mbushë 41 vjeç tetorin e ardhshëm, ka të ngjarë të përfundojë karrierën e tij pa mundësinë e thyerjes së këtij mallkimi. Sidoqoftë, pas ndeshjes me polakët, Ibra e mohoi mundësinë e lamtumirën nga kombëtarja e vendit të tij, duke folur për mikrofonat e “TV4”:

“Të gjithë jemi të zhgënjyer, siç është normale kur humbasim. Ne donim të luanim Kupën e Botës, por fatkeqësisht nuk do të ndodhë. E ardhmja? Shpresoj të vazhdoj deri sa të jem i shëndetshëm dhe në gjendje të kontribuoj”.

Në karrierën e tij, Ibrahimovic mori pjesë në Kupën e Botës 2002, zhvilluar në Korenë e Jugut dhe Japoni, si dhe në Kupën e Botës 2006, të fituar nga Italia në Gjermani. Dy pjesëmarrje, të dyja të mbyllura në 16-she. Gjithsej 5 ndeshje, pa asnjë gëzim personal (gol).

Në vitet 2010, 2014 dhe 2022, Suedia nuk u kualifikua, ndërsa në vitin 2018 arriti në Botërorin e Rusisë, por pa Ibrahimovic, mbetur jashtë për shkak të lëndimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat