​Dhuna në ndeshjen Gjilani-Ballkani diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës

Futboll

​Dhuna në ndeshjen Gjilani-Ballkani diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës

Më: 7 prill 2022 Në ora: 12:55
​Dhuna në ndeshjen Gjilani-Ballkani

Incidenti i dhunshëm në ndeshjen e xhiros së 27- të në Superligën e Kosovës ku tifozët e skuadrës vendëse sulmuan fizikisht portierin e Ballkanit Stivi Frashëri, i cili mori lëndime trupore dhe më pas u shtrua në spital për trajtim, ka ngjallur reagime edhe në Kuvend.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Sport Albena Reshitaj, e cila këtë ngjarje të dhunshme e ka cilësuar si mesazhin më të keq të mundshëm për futbollin e Kosovës.

Ajo ka thënë se organet përgjegjëse, duke përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës duhet të përkujdesen për sigurinë e të gjithë akterëve brenda një ngjarjeje sportive.

Reshitaj: Dhuna në ndeshjen Gjilani-Ballkani, mesazhi më i keq për futbollin kosovar

“Skenat që u panë të dielën në stadiumin e Gjilanit ku po luhej ndeshja kryesore kampionale mes Gjilanit dhe Ballkanit ishin mesazhi më i keq i mundshëm i reprezentimit si në nivel vendi ashtu edhe para opinionit ndërkombëtar ku Kosova është tash e gjashtë vjet anëtare e organizmave kryesorë të futbolli global, Federatës Botërore FIFA dhe asaj evropiane, UEFA-së... Organizimet e ndeshjeve sportive do të duhej të ishin obligim i padiskutueshëm i secilit klub, sikurse edhe i organizmave të tjerë të këtij sporti, përfshirë vetë federatën gjegjëse për të ofruar siguri për çdo akterë në fushë, duke përfshirë futbollistët, stafet e skuadrave, gjyqtarët, delegatët e ndeshjeve, gazetarët e deri te vetë tifozët”, tha Reshitaj.

Reshitaj ka bërë thirrje që autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë dhe të dënohen me dënime maksimale.

Reshitaj: Sulmuesit të dënohen me dënime maksimale

“Të shqelmosh në fushë pas asnjë pengesë, është shqetësim i madh si për ne... Kërkoj nga organet kompetente duke filluar nga prokuroria e gjykata që me dënime maksimale të ndëshkojë sulmuesit të cilët vetëm sportin nuk e duan”, tha Reshitaj.

Ndryshe, Komisioni i Garave brenda FFK-së ka marrë vendim që kjo ndeshje t’i takojë Ballkani me rezultat zyrtar 3:0, por skuadra e Gjilanit ka paralajmëruar ankesë për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat