Inter regjistroi fitoren e 12 në 15 javë të Serie A teksa mposhti në shtëpi me shifrat 4-0, Udinesen.
Zikaltërit falë këtij trepikëshi u rikthyen në krye të kampionatit me 38 pikë, dy më shumë se ndjekësit e Juventus. Një nga protagonstët e këtij suksesi ishte Lautaro Martinez.
Kapiteni udhëhoqi sërish skuadrën, fitoi penalltinë e shndërruar në gol nga Calhanoglu, goditi shtyllën dhe në fund gjeti golin numër 14 në elitën e futbollit italian.
Pas sfidës, argjentinasi u shpreh se i mungonte një gol në San Siro ndërsa shtoi se ishte shumë e rëndësishme që t’i përgjigjeshin në distancë Juventusit.
“Një gol në San Siro më mungonte shumë dhe provova të shënoja në të gjitha mënyrat. Në momentin e golit fillimishte e humba topin, por më pas e rikuperova dhe shënova. Ishte e rëndësishme të fitonim dhe po ashtu e rëndësishme të shënoja. 28 gola në vitin 2023? Jam i lumtur dhe shpresoj që të shënoj më tepër, ia kam dalë të gjejë shumë herë rrugën e rrjetës këtë vit, falë edhe shokëve të skuadrës.
Mua nuk më intereson shumë se kush shënon, e rëndësishme është të fitoj skuadra. Punojmë shumë dhe ndjehet dora e tranerit në skuadër. Kemi objektivin tonë dhe ishte e rëndësishme t’i përgjigjeshim Juventusit. Kemi hedhur një hap më shumë, duhet të jemi gati sa herë trajneri të ketë nevojë për ne.
E ardhmja? Nuk e di nëse rinovimi do të zyrtarizohet për Krishtlindje, por mungon edhe shumë pak. Jam i lumtur dhe ashtu është edhe familja ime. Për të tjerat mendon menaxheri, mua më duhet të bëj detyrën në fushë. Kjo skuadër mund të përmirësohet edhe më shumë, Inter duhet të mësohet të fitojë tituj dhe të luajë finale. Prej momentit kur është Inzaghi në krye jemi përmirësuar”, u shpreh Lautaro Martinez.
Me 14 gola të realizuar në 15 javët e para të Serie A, Lautaro barazoi rekordin e Diego Militos të vitit 2012 ndërsa falë 28 golave në vitin 2023, barazoi Christian Vierin që kishte realizuar po aq në vitin 2001. 28 gola është rekordi për një sulmues të Interit gjatë një viti në total, rekord që me shumë mundësi 26-vjeçari do ta thyejë në javët e ardhshme.