Michael Carrick ka marrë përsipër përgjegjësinë pas eliminimit befasues të Manchester United nga EFL Cup, me “Djajtë e Kuq” që pësuan humbje 3-2 ndaj Brightonit në Old Trafford, pavarësisht se kishin epërsi prej dy golash.
United e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në epërsi 2-0 që në 10 minutat e para. Shea Lacey dhe Mason Mount shënuan për vendasit, por më pas gjithçka ndryshoi.
Charalampos Kostoulas ngushtoi diferencën, ndërsa Pascal Gross barazoi rezultatin. Përmbysjen e plotë e realizoi Maxim De Cuyper, i cili shënoi golin e fitores për Brightonin.
Për herë të parë pas 50 vitesh, Manchester United humbi një ndeshje në shtëpi pasi kishte qenë në avantazh 2-0.
Në fund të takimit, tifozët e Unitedit vërshëllyen ekipin dhe Carrickun, ndërsa trajneri pranoi se përgjegjësia për kolapsin ishte mbi të.
“E kishim ndeshjen pikërisht aty ku donim dhe e lamë të na ikte. Kjo është historia e ndeshjes.
Nuk mund ta pranojmë këtë si grup. Unë marr përgjegjësinë për atë që ndodhi, sidomos për paraqitjen në fund të pjesës së dytë. Kjo është mbi mua”, deklaroi Carrick.
Trajneri anglez bëri tetë ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen e kaluar, ndërsa humbja ka ngritur sërish pikëpyetje mbi thellësinë e skuadrës dhe merkaton e verës.
Pas humbjes ndaj Manchester Cityt në kampionat të dielën, eliminimi nga Brighton është një tjetër goditje e rëndë për Unitedin.
Carrick tashmë kërkon reagim të menjëhershëm në ndeshjen e radhës ndaj Fulhamit.
“Duam të fitojmë dhe duam të fitojmë shpejt. Është kaq e thjeshtë. Ndeshja e radhës është të dielën dhe vetëm për atë po mendoj. Duhet të përmirësohemi në shumë aspekte”, tha ai.
Ish-mesfushori i Manchester Unitedit kishte marrë drejtimin e klubit në mënyrë të përhershme pas një sezoni të suksesshëm si trajner i përkohshëm, kur e udhëhoqi ekipin drejt vendit të tretë.
Megjithatë, fillimi i këtij sezoni ka qenë shumë më i vështirë. Unitedi tashmë ka pësuar tri humbje në gjashtë ndeshje në të gjitha garat, duke e vendosur Carrickun nën presion të madh.
“E kuptoj plotësisht frustrimin e tifozëve. Duhet ta pranosh. Në fund të fundit, është përgjegjësia ime se si dukemi si ekip, si luajmë dhe çfarë rezultatesh marrim. Do ta pranoj edhe lavdërimin, edhe kritikat”, përfundoi Carrick.