Armando Broja po kalon një tjetër vit të vështirë në karrierën e tij, në të cilën ka bërë shumë hapa mbrapa së fundmi. Sikur të mos mjaftonte mosaktivizimi me klubin, edhe dëmtimet janë kthyer për të shqetësuar sulmuesin.
Dëmtimi i pësuar pak javë më parë duket se do të vazhdojë ta lërë jashtë aktiviteteve të skuadrës së Burnleyt.
Shqetësimi në kofshë ndaj Linkoln duket se vazhdon të jetë problematik dhe as pauza për ndeshjet e kombëtareve, ku qartësisht ai nuk ishte ftuar nga kuqezinjtë, nuk i ka dhënë kohën e mjaftueshme për t’u rikuperuar para kthimit në fushë me klubin e tij.
Sipas mediave pranë klubit, Broja mbetet ende në infermieri dhe nuk ka sinjale se do të kthehet shpejt në fushë. Kështu, ai llogaritet të mungojë edhe në ndeshjen e kësaj të diele ndaj Bllekbërn Rovers në Championship.
Kjo e komplikon edhe më shumë situatën e lojtarit, i cili, përtej faktit se nuk po bind në klubin e tij, do ta ketë shumë të vështirë të gjejë edhe një sistemim të mundshëm gjatë merkatos së janarit, në një klub tjetër ku t’i garantohen minuta.