Palestra e qytetit në Istog - krenari e hendbollit, foleja dardane!

Hendboll

Palestra e qytetit në Istog - krenari e hendbollit, foleja dardane!

Nga: K. G. Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 13:36
Palestra e qytetit në Istog

Një qytet si Istogu në vitet e pasluftës nuk përmendej për lojën e hendbollit dhe as që e bënte kush hesap!

Me kalimin e viteve, me punën e madhe të trajnerit Faruk Shala, Istogu fiton një simpati në radhë të parë si ekip e femrave, për organizim dhe suksese, por që tani shndërrohet edhe si krenari e komunitetit të hendbollit të Kosovës dhe si qytet që ia zbardhi fytyrën. 

Në një qytet që palestra shpërthen si vullkan nga tifozeria, që shkakton drithërime të çdo kundërshtare ndërkombëtare por edhe jep emocione të mëdha edhe të vet Federata e Hendbollit e Kosovës, duke shijuar panoramën evropiane në mjedisin e bukur të Istogut. 

Image

Kosova arriti kualifikimin në raundin e dytë të Kampionatit Botëror (femrat), duke eliminuar Ishujt Faroe me rezultat të përgjithshëm 55:53. Dardanet sfidën e parë e fituan me 27:24, ndërsa të dytën e humbën me 29:28.

“Palestra e qytetit në Istog, foleja dardane!

Istogu i jep përkrahje të paparë deri më tani Kombëtares së Kosovës që është vetëm edhe një pengesë larg Kampionatit Botëror.

2500 spektatorë ishin të shtunën në mbrëmje në palestrën e qytetit në Istog për të mbështetur hendbollistet e Kombëtares se Kosovës drejt suksesit historik - kalimit të raundit te parë kualifikues për Kampionat Botëror. Tani Kosova ka vetëm edhe një pengesë për të arritur atë që ishte vetëm ëndërr, pjesëmarrja në një kompeticion të madh. Kjo ëndërr tani është larg vetëm edhe dy ndeshje, përkatësisht vetëm edhe një kundërshtar.

Kalimi eventual i këtij kundërshtari e bën Kosovën pjesëmarrëse të Kampionatit Botëror të hendbollit për herë të parë në histori.

Sigurisht meritat më të mëdha për këto rezultatet janë të hendbollisteve të cilat luftuan si luanesha në këto dy ndeshje, pastaj puna kolosale e udhëheqësve të FHK -së dhe stafit të kombëtares që kanë bërë që Kombëtarja të ngrit nivelin e saj.

Por edhe përkrahja spektakulare e shikuesve në këto dy ndeshje, nga Istogu dhe tërë Kosova, ka bërë që Kombëtarja të merr zemër drejt suksesit historik.

Palestra e qytetit në Istog në këto dy ndeshje ishte  foleja e ngrohtë e dardaneve drejt suksesit historik.
KHF Istogu falënderon Federatën e Hendbollit të Kosovës që na besoj të jemi bashkëpunëtorë në organizimin e këtyre dy ndeshjeve historike për kombëtaren tonë. Falënderojmë gjithë qytetarët istogas dhe më gjerë, grupin e tifozëve të Kombëtares së Kosovës “Dardanet”, që dhuruan spektakël.

Po ashtu e falënderojmë edhe komunën e Istogut për mbështetje në krijimin e kushteve të përshtatshme për organizim të ndeshjeve në palestrën e qytetit.
Ju faleminderit”,
shkruan në faqen e KHF Istogu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat